Shotë n’Bulqizë, skifter n’Gjilan - NACIONALE

Shotë n’Bulqizë, skifter n’Gjilan

1 muaj më parë

nga Dafina Demaku

“Njeriu duhet të qeveriset vetëm nga shkenca” – thotë në romanin e tij “Të mjerët’ plaku shembullor i 1800-tës, Viktor Hygo. Dhe ndërgjegja – vazhdon ai, në një dialog me të cilin përball dy personazhe të rëndësishme fillestare aty në libër.

Gjatë fundjavës që lam pas, algoritmi i llogarisë time në Facebook, ma shfaqi befas një lajmërim bashkë me një video ku dukej një dron duke fluturuar, udhëtuar e goditur – fatbardhësisht - në cak. I emëruar si ‘Skifter K1’, kur e pashë, ka shumë mundësi që sytë m’u mbushën me lot sepse pashmangshëm, në atë ditë fundjave m’u kthye nostalgjia e fëmijërisë, bashkë me kohën që ma kujtoi babain tim duke kërkuar një armë për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ky kujtim mjaftoi si arsye e madhe dhe pa një pa dy, ia dhashë një ‘like’ postimit të Ridvan Aliut dhe sot e atë ditë, zemra s’ma thotë t’ia heq këtë like. Dhe ia bëj hallall kat më kat, por jo edhe këtë mëkat sepse nga gëzimi, seç m’u shfaq një ndjenjë gatishmërie të punoja hamall për këta dronë të vendit tim.

Por, para se të ndalemi të Gjilani, le të zhvendosemi pak në Bulqizë dhe të flasim për gjëra që ekzistojnë;

Arjeta Puca është një sipërmarrëse nga Bulqiza e Shqipërisë. Ajo ka themeluar një kompani me emrin ‘TIMAK’ në vitin 2016 ku bashkë me shumë vajza, prodhojnë dhe modifikojnë automjete si ambulance, makina zjarrfikësish.

Arjeta eksporton në më shumë se 20 vende jashtë Shqipërisë. U bë shumë e njohur, kur prodhoi prototipin e një makine të blinduar ushtarake për Shqipërinë, të quajtur ‘Shota’.

Pa shumë zhurmë, pa shumë bujë, fliste vetë automjeti hijerëndë i Arjetës me shoqe: Shota. Kur kjo pati ndodhur, më pati bërë shumë përshtypje emërtimi femëror i automjetit (i cili ekziston përnjëmend, dhezë n’çelës siç themi ne kosovarët).

Tani, le të zbresim pak nga Shota jonë në Bulqizë dhe të kthehemi sërish në Gjilan;

Ka disa elemente, që e bëjnë shumë problematik Skifterin tonë të rremë.

Prej fundjavës kur u raportua ngjarja se Skifteri hapi krahët dhe udhëtoi larg, nga kompania e një të riu të cilin e ka vizituar kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe i ka dhënë jehonë idesë së prodhimit të dronëve, nuk ka ende një përgënjeshtrim zyrtar nga asnjë prej institucioneve relevante/ përkatëse.

Ministria e Mbrojtjës, vetëm në një kronikë të mediumit Koha, iu thotë se s’ka pikë njohurie për ngjarjen. Në këtë formë, përtej idesë së gënjeshtërt të prodhimit të dronëve, lejohet mirëmbajtja e një asfiksie masive online sa i përket ngjarjes. Ka qindra – mijëra njerëz që shajnë, nemin e mallkojnë nëse iu thua se me gjasë, Skifteri s’ishte i joni por i kinezëve. Ka me mijëra të tjerë që e kanë kuptuar të vërtetën dhe midis dy ‘grupeve’, janë institucionet që heshtin.

Dhe si gjithkund, edhe nëpër këso kompani si kjo e Ridvanit nga Gjilani, ka edhe njerëz punëtorë dhe të rinj premtues për të ardhmen (sa do pak, kur do që ndodh ajo) të shkencës tonë. Unë e njoh një prej tyre dhe punon bash te Ridvani.

Për aq sa e njoh, shkencëtari i ri (G.M), nuk po hesht pse nuk e do shkencën. Por është aq i ri sa që:

Ndërgjegjja përbën sasinë e shkencës së bashkëlindur që kemi në vetvete” – thotë plaku jonë i mirë, Viktor Hygo.

Para se G.M-së t’i flasë ndërgjegjja si sasi e shkencës në vetvete, kur do t’i flasë ndërgjegjja A.K-së si kryeminisitër ose cilit do institucion si cilësi, jashtë vetes?

Është e njohur kritika e Albin Kurtit për Hashim Thaçin se po ‘shfaqej pulë para ndërkombëtarëve e skifter në Kosovë’. Në meselen e dronit skifter, ai s’qe shkruar të ishte, të paktën as pulë, as shotë, as skifter.

Lajme të ngjashme