A shpjegohen situatat e reja me llafe t’vjetra? - NACIONALE

A shpjegohen situatat e reja me llafe t’vjetra?

2 javë më parë

nga Dafina Demaku

Situatat e reja nuk shpjegohen me llafe të vjetra - më tha një koleg shumë i njohur i yni në një bisedë spontane rreth zhvillimeve të prej 28 dhjetorit e deri sot.

Para se të nisim me llafet e reja, le t’i nxjerrim prej barkut disa të këqija që po na mundojnë sot e 11 ditë.

Qe 11 ditë, një pjesë e opinionit po e kërkon opozitën të zgjohet dhe të flasë, nëse jo për çka ndodhi, të paktën t’i tfillojë temat e reja që veç kanë fillu me u grumbullu për këtë vit.

Por janë dy-tri çështje shumë problematike me të cilat ka nis me u lyp përgjigja në pyetjen se cka ndodhi?

Segmente të caktuara opozitare, ama opozitare në kuptimin - të lidhura me partitë e opozitës, një pjesë të pezmit të tyne po e zbrasin mbi gazetarë e opinionistë kritikë të Kurtit përgjatë pesë viteve të kalume.

Argumenti prehës i tyne për humbjen fatale në zgjedhje, është se sa ma shumë që u kritikua Kurti, aq më shumë po rritej.

Çka do të prodhonte kjo logjikë nëse do të ishte e vërtetë? Para se ta japim një përgjigje këtu, t’i nxjerrim ca gjëra prej barkut, që po na mundojnë;

Duke qenë se vetë ishin ‘të qetë’ në opozitbërjen e tyre, ia kërkuan të njëjtën edhe partisë në pushtet dhe kryetarit të saj Albin Kurti. I thanë: depolarizohu.

Kurti veproi si i thanë dhe të paktën, fjalitë goditëse ndaj opozitës, nuk po i thoshte më me mbi 80 decibelë qysh ishim mësuar ta dëgjonim, por i kishte zbritur ato në një rrafsh normal prej afro 60 decibelësh (sa qenka të folurit normal qysh na tha shpejt inteligjenca artificiale)

Me pak decibelë në zë që dukej ‘i depolarizuar’ - ai po e tallte opozitën duke i thënë se qeveria e tij ka ndërtuar 73-4 çerdhe, se kjo opozita s’i kishte ndërtuar as katër çerdhe, se kjo opozitë e lodhur s’kishte arritur ta organizonte sa për be’ asnjë protestë të hajrit, se po të kishte krizë ekonomike dikush diku do ta shërthente ndonjë pakënaqësi sa për mësysh.

Krejt këtyre, opozita nuk po ua vnonte veshin sepse tashmë Kurti këto nuk po i thoshte me një gjuhë polarizuese. Ironia është se Kurti po i thoshte gjërat e njëjta, po i ‘jepte goditjet e njëjta, por me zë më të qetë.

Dhe ashtu qysh ia kërkoi opozita, shumë i qetë, po i fliste elektoratit të tij, se tash i duhej një fitore e madhe sepse kurrkush prej opozitës nuk deshti të bashkëpunonte me të, e opozita në anën tjetër gjatë fushatës po i vetofrohej Kurtit për bashkëpunim pas zgjedhjeve, duke i thënë se s’kishin vija të kuqe as kurrfarë vijash.

Kështu, Kurti triumfoi me rrëfimin e tij, se opozita ishte fajtore për bllokadën shumë mujore prej shkurtit deri tash, dhe triumfoi me krejt elementet tjera që janë shteruar deri tash në diskutimet publike, si prania e madhe e diasporës në datën e zgjedhjeve, shpërndarja e afro 400 milionë eurove, etjerë.

Dhe kjo opozitë, tani kërkon që zërat kritik, të heshtin, sepse sipas tyre, meqë Kurti u bë i urtë, ata vetë të urtë në fjalorin e tyne, nuk ka nevojë për shumë zhurma, për kritika.

Në këtë formë, ata bien me vetëdije, edhe një herë në rrëfimin e partisë që i dërrmoi me humbje, por kësaj here, gjendja është më e rëndë.

Sepse në këtë formë, legjitimojnë sulmet e pushtetit ndaj mediave, kritikëve e opinion-bërësëve, sikur për krejt çka ndodhi, ata ishin fajtorë.

Dhe në këtë formë, bëhen imitues të Kurtit dhe qeverisë së tij, që për gjithçka, faj kishin të tjerët, po jo vetë ata.

Si është e mundur, që mu në natën e kumtit të rënies fatale, kryetari i njërës prej partive (deri tani të mëdha) opozitare, që supozohej të shënonte ngritje e ra shumë poshtë, mes tjerash, në konferencë për media, e përmendi mallin për familjen?

E kam fjalën për kryetarin e LDK-së z.Lumir Abdixhiku, i cili në një seri paraqitjesh përfshirë edhe atë të natës së 28 dhjetorit 2025, foli se qysh përgjatë angazhimit të tij, ‘ka qëndruar larg vajzave të tij e larg familjes’? Qysh përmendet kjo nga një lider opozitar?

Autorja e këtij shkrimi, po ashtu i ka dy vajza dhe shumicën e kohës, qëndron larg tyre, për shkak të profesionit, të angazhimit publik. Kurrë s’e kam përmendur sepse nuk kam besuar që edhe duhet të përmendet.

Përgjatë më shumë se pesë vitesh qeverisje të Kurtit, katër nga mekanizmat kryesorë të demokracisë, ishin më të goditurat: mediat, gjyqësori (drejtësia), Sindikatat dhe opozita.

Kjo e fundit, për dallim prej të tjerave, e kishte dhe e ka një përparësi, përfaqësohet me votë në Kuvendin e Kosovës ku fatmirësisht, ka edhe lloj-lloj nënmekanizmi tjetër (Komisionet parlamentare, etj). Si bëhët që kjo e fundit, ta ‘vajtojë’ veten për angazhimin e saj, më shumë se krejt tjerat? Dhe te krejt të tjerët të gjejë fajtorë për rënien e saj, përpos te vetja jo.

Lajme të ngjashme