Mesazhi i Belindës si ngushëllim për popullin opozitar në Kosovë
Të rrojmë vetë, ça të them?
Në dosjen e SPAK-ut për zëvendëskryeministren e Shqipërisë znj.Belinda Balluku, është një mesazh që s’më hiqet prej mendjes. Kur znj.Balluku flet me Evis Beberin për turkun Abdulkadir Kartin, me të cilën bëhen disa dallavere për Tunelin e Logarasë, Beberi e njofton znj.Balluku se turkut të njohur edhe si Plaku ASL, i ka vdekur nëna dhe se s’mund të vinte në Shqipëri qysh e kishin lënë. Znj. Balluku ia kthen Beberit: “Epo, të rrojmë vetë, ca të them…”
Mesazhi i dalë nga ky rresht prej dosjes së SPAK-ut, që për të ardhmen politike të znj.Balluku mund të jetë tragjike, mund të shërbejë si një fabul për të ndërtuar të paktën një referencë ngushëlluese komike për popullin opozitar në Kosovë, pas shembjes së iluzionit tonë se ndryshimin që po kërkonim ishte te partitë opozitare, veç duhej t’i votonim pak më shumë.
Rinumërimi i disa votave që nxorri në pah vjedhje masive mes kolegëve nëpër parti politike, dekurajon edhe përpjekjen ose shpresën e fundit të një mase opozitare në vendin tonë, që ishte boll e madhe deri më 9 shkurt, që ra më 28 dhjetor por megjithatë fill pas të 28-tit i dha shenjat e para që ‘lufta’ dhe përpjekja për ta mbajtë sa do pak në këmbë demokracinë, do të vazhdonte.
Pra, qysh ishim si më së miri duke e ‘vajtu’ humbjen fatale të opozitës në zgjedhjet e dhjetorit, papritmas, sikur diçka që të bjen në kokë prej qiellit me shpejtësi të madhe, e ndërroi temën edhe atë, shumë - shumë për të keq.
Kjo vjedhje, do ta dëmtojë opozitën edhe më shumë sesa vetë humbja gati fatale e zgjedhjeve të dhjetorit, për faktin që rrëzon atë iluzion të ndërtuar këto – të paktën pesë vite, se shpresa për një ndryshim shihej te këto parti opozitare.
Imagjinoni që si një i ri, që keni shkrirë diçka nga mendët tuaja dhe keni harxhuar paret e shpisë për t’u shkolluar, punësuar e avancuar në karrierë, keni ndërkohë edhe ambicie politike, pse jo? Dhe këtë ambicie, dëshironi ta përmbushni në ndonjërën nga partitë – ta zëmë opozitare.
Partitë që kumbojnë me thirrjen për ‘kuadrot e reja’, ‘reformat e thella’ – që veç sa të këndellemi pak se do ta shihni mirë ju, shpërfaqen tragjikisht në tabelat e QNR-së me minusat e kuq që heqin qindra-mijëra vota te kandidatët për deputetë.
A është e mundur të kenë vepruar gjithë kështu? Po, ka mundësi. Por vetëm një zbulim i rastësishëm brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve se disa kamera në disa qendra numërimi s’kishin punuar mirë dhe votat nuk përputheshin, kësaj here nxjerr variantin idiotik dhe idiomatik të shprehjes ‘me pelë për dore’.
Po, edhe Lëvizja Vetëvendosje del, që sidomos në Prizren, aty ku paska pas ndodhë kërdia më e madhe e manipulimit të votës, ka vepruar ngjashëm me qindra vota të vjedhura. Por Lëvizjen Vetëvendosje, jemi mësuar ta dëgjojmë duke arsyetuar lloj-lloj vjedhjesh, dhe ta kemi parë duke goditur mekanizma të demokracisë shpesh.
Të kundërtën e saj, e kishim projektuar te partitë opozitare.
Meqë vdiq ky iluzion, të rrojmë vetë, ça të them…?