“Nga seancat te ankesat e shkresat” – Sa kushton një avokat në Kosovë? - NACIONALE

“Nga seancat te ankesat e shkresat” – Sa kushton një avokat në Kosovë?

3 muaj më parë

nga Eriola Cacaj

A e dini sa mund të kushtojë angazhimi i një avokati në Kosovë? Sa paguhet për mbrojtje në një rast penal, për përpilimin e një ankese apo për përfaqësim në një proces civil apo edhe në divorce?

Për këto dhe shumë shërbime të tjera juridike ekziston lista e detajuar tarifash e publikuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës, e cila përcakton tarifat minimale për shërbimet e avokatëve në vend. Rregullorja e re është miratuar në fund të vitit 2025 dhe përfshin një tabelë me pagesat për lloje të ndryshme të shërbimeve juridike.

Sipas kësaj liste, për mbrojtje ose përfaqësim në një rast penal nga kompetenca e departamentit të përgjithshëm të gjykatës, tarifa bazë e avokatit është rreth 240 euro. Për rastet që trajtohen nga departamentet për krime të rënda, ku bëhet fjalë për vepra penale me dënime më të larta, tarifa bazë mund të arrijë në rreth 300 euro, ndërsa për veprat penale më të rënda, ku dënimi i paraparë është 10 ose më shumë vjet burgim, tarifa mund të shkojë deri në 400 euro.

Përveç tarifës bazë, rregullorja parashikon edhe një pagesë shtesë për çdo orë të punës së avokatit që tejkalon kohën e parashikuar. Kjo llogaritet si 30% e tarifës bazë për çdo orë të filluar, duke e rritur pagesën totale në varësi të angazhimit shtesë gjatë procedurës. Për shembull, nëse tarifa bazë për një rast është 240 euro dhe avokati punon një orë shtesë, pagesa rritet me 72 euro, duke e bërë pagesën totale 312 euro, dhe çdo orë tjetër shtesë llogaritet në të njëjtën mënyrë.

Lista e publikuar përfshin edhe tarifat për përpilimin e dokumenteve juridike, ku për hartimin e ankesave, kërkesave apo kallëzimeve penale, tarifa bazë mund të fillojë nga rreth 240 euro, ndërsa shuma mund të rritet varësisht nga kompleksiteti i rastit dhe procedura në të cilën zhvillohet çështja.

Ndërkohë, në tabelën e tarifave janë përfshirë edhe pagesat për përfaqësim në procedura civile dhe çështje të tjera juridike. Në këto raste, tarifa e avokatit zakonisht përcaktohet në bazë të vlerës së kontestit, duke filluar nga disa qindra euro dhe duke u rritur në varësi të shumës për të cilën zhvillohet procesi gjyqësor.

Rregullorja përfshin gjithashtu edhe tarifat për çështjet familjare, përfshirë procedurat e divorcit, ku tarifat bazë për avokatin mund të arrijë rreth 240 euro, ndërsa shuma mund të jetë më e lartë në rastet kur procesi përfshin edhe çështje të tjera si ndarja e pasurisë apo kujdestaria ndaj fëmijëve.

Lajme të ngjashme