Në vend të pyetjeve, një libër për Vjosa Osmanin, dhuratë për 2 vitet e saj si Presidente - NACIONALE

Në vend të pyetjeve, një libër për Vjosa Osmanin, dhuratë për 2 vitet e saj si Presidente

1 vit më parë

nga Vullnet Krasniqi

Në mëngjes përmes një statusi të dikujt që kishte publikuar një fotografi të Vjosa Osmanit, e kuptova që ishte 2 vjetori i saj si Presidente e Kosovës. Nuk është një datë të cilën mund ta injorosh nëse je gazetar në Kosovë. Andaj edhe fillova të merrem me konceptimin e një video analize të punës së saj.

Por bash sot edhe kishte rënë borë. Rrugët ishin përplot borë. As kjo nuk injorohet. Bile edhe kisha disa pamje të xhiruara por nuk kisha kohë të merresha me të dyjat. Kështu që i bashkova. Pamjet e borës nëpër rrugë si sinonim të rrugëtimit të Presidentes.

Teksa arrija të shpjegoja sa më shkurt punën e saj dy vjeçare, kuptova që më nevojiteshin 30 minuta video për t’i thënë të gjitha. E në fakt nuk kishte asgjë substnaciale. Ky është edhe problemi themelor i Vjosa Osmanit sipas meje. Por vendosa që të mos i besoj aq shumë vetës.

Shkova në zyre, në fakt tek kompjuteri i kryeredaktorit Jetlir Buja dhe gazetarit të politikës Muhamet Koci. Të dytë kanë shkruar që dy vjet për Presidenten. Ata nuk më thanë diçka që do të komplimentonte Presidentën. Përpos Bujës që më tha se ka demaskuar shumë mirë “krimet e Serbisë në Kosovë”.

Pos dy kolegëve doja edhe disa qytetarë. Gazetarja Leonora Kolukaj kishte dalë në qytet për të marrë ca mendime të qytetarëve. Mora dy-tre deklarata, nuk ka aq optimizëm.

Doja edhe dikë nga Presidenca. Kisha shumë pyetje. Por në këtë "ditë feste" vendosa që të mos i lodhë më pyetje Presidencën. Përzgjodha një libër të ish-sekretarit të shtetit John Bolton si dhuratë. Aty ai flet për dhomën Presidenciale në SHBA gjatë një periudhe kontraverse për demokracinë amerikane.

Në fund të urimit i shkrova një fjali: Shpresoj ta kthesh dhomën e Presidencës, në një dhomë ku ndodhin gjëra të rëndësishme.

Ika në drejtim të zyres së Presidentes dhe tek zyrtarja për pranim të dhuratave ia lash librin.

Nëse kjo që lexuat nuk iu mjafton, ja video:

Lajme të ngjashme