"Jam i vdekur nga ajo ditë" - Polici që shkaktoi aksidentin ku humbi jetën Zana Gjevukaj del para Gjykatës së Apelit - NACIONALE

"Jam i vdekur nga ajo ditë" - Polici që shkaktoi aksidentin ku humbi jetën Zana Gjevukaj del para Gjykatës së Apelit

1 muaj më parë

nga Eriola Cacaj

Polici 26-vjeçar, Argjent Kastrati, ka dalë para kolegjit të Gjykatës së Apelit për aksidentin e shkaktuar në prill të vitit 2024, ku kishte mbetur e vdekur Zana Gjevukaj.

Seanca u mbajt para kolegjit të Apelit, i përbërë nga kryetari i kolegjit, gjyqtari Mehmet Ndrecaj, Abdullah Ahmeti si gjyqtar referues, si dhe Ferit Osmani, anëtar i kolegjit.

Nga Gjykata Themelore në Pejë, Kastrati ishte dënuar me 4 vite burg për veprën penale “Rrezikim i Trafikut Publik”, ndërsa në seancën fillestare, pasi iu ishte lexuar aktakuza, ai kishte pranuar fajësinë.

Ndaj vendimit të shkallës së parë, palët kanë paraqitur ankesa në Gjykatën e Apelit.

Familja Gjevukaj, përmes avokatit Milot Neziraj, bëri të ditur se janë të pakënaqur me vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, duke kërkuar ndryshimin e aktgjykimit dhe që ndaj të akuzuarit, Argjent Kastrati, të shqiptohet një dënim më i ashpër.

Ankesë në Apel kishte paraqitur edhe i akuzuari përmes avokates Majlinda Sadikaj, e cila po ashtu kërkoi ndryshimin e aktgjykimit të shkallës së parë, pasi sipas tyre shqiptimi i dënimit me kohëzgjatje prej 4 vitesh burg është shumë i lartë.

Para kolegjit të Apelit, deklaratë dha edhe vetë i akuzuari, Argjent Kastrati, i cili u shpreh i penduar dhe e përsëriti kërkimfaljen.

Kastrati u shpreh se, pavarësisht çfarëdo vendimi nga gjykata, ai ia ka dhënë vetes dënimin jetësor.

Me përulësi dhe me respektin më të madh që e kam si unë, ashtu edhe familja ime, i kërkojmë falje deri në fund të jetës familjes Gjevukaj dhe ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta. E lusim Zotin ditë e natë që këta të gjejnë qetësi dhe t’i ndihmojë ta kalojnë këtë dhimbje të madhe. Unë asnjëherë nuk kam pasur qëllim apo ndonjë arsye tjetër që t’ia marr jetën dikujt dhe, me mundësitë e mia, jam munduar ta mbaj viktimën në jetë. Jam ndalur në vendin e ngjarjes, nuk jam larguar, ia kam dhënë ndihmën e parë, kam lajmëruar policinë, spitalin dhe të gjitha institucionet tjera, si dhe e kam dërguar vetë viktimën në spital dhe gjatë gjithë kohës i kam dhënë ndihmë. Çdo dënim që jepet për mua nuk ka rëndësi, sepse unë dënimin jetësor ia kam dhënë vetes. Unë jam i vdekur nga brenda, por i gjallë nga jashtë që nga ajo ditë.” - ka thënë i akuzuari Kastrati para kolegjit të Apelit.

Pas kësaj, seanca ka përfunduar dhe kryetari i kolegjit gjykues, gjyqtari Mehmet Ndrecaj, tha se vendimi do të merret brenda afatit ligjor.

Lajme të ngjashme