“Jam fajtor që isha në UÇK” — Zyra e Kurtit ia mohoi fjalën kryetarit të Reçakut në përvjetorin e Masakrës - NACIONALE

“Jam fajtor që isha në UÇK” — Zyra e Kurtit ia mohoi fjalën kryetarit të Reçakut në përvjetorin e Masakrës

1 vit më parë

nga Festim Gërguri

Kamera: Bedri Asllani

Trupi i tij kurrë nuk do të shërohet plotësisht, siç ishte para se plumbi i snajperit serb t’ia shponte kurrizin përtej kraharorit. Për kryetarin e Reçakut, Adem Ramadanin, kjo nuk ishte goditja e fundit që ju bë sepse kishte vendosur ta veshë uniformën e UÇK-së.

Kryetari i fshatit që e solli NATO-n në Kosovë, ishte pjesë e organizimit për përvjetorin e Masakrës së Reçakut. Gjithashtu, ishte edhe pjesë e agjendës ku parashihej të mbante fjalim.

Megjithatë, Zyra e Kryeministrit ia mohoi fjalën pasi ia panë fjalimin. Arsyetimi ishte tjetër, por Ramadani që është veteran dhe invalid i luftës së UÇK-së, beson se arsyeja ndërlidhet me UÇK-në dhe krerët e saj në Hagë.

Nuk e kam një arsyet të saktë pse nuk më është dhënë fjala. Më është kërkuar nga Zyra e Kryeministrit t’ua dërgoj fjalimin në ditën e premte. Dy orë pasi ua kam dërguar më kanë thirrur edhe një herë duke thënë ‘s’e kemi lexuar fjalimin, por ti duhesh me u tërheq sepse po na duhet dikush nga familjet’” – thotë Ramadani.

Por, sipas kryetarit brenda fshatit ka ekzistuar konsensusi që të përfaqësohen nga kryetari, meqë pothuajse të gjitha familjet në Reçak janë të prekura nga masakra.

Pra, pak e papranueshme te Kryeministria për shkak se në fjalim kam pasur t’i përmendi edhe krerët e UÇK-së në Hagë, e që atje në fakt duhej të ishin kriminelët serbë” – shprehet kryetari i fshatit.

Ramadani frikësohet se arsyeja tjetër pse nuk iu dha mundësia të flasë, ka të bëjë me faktin se është veteran dhe invalid i luftës së UÇK-së.

“... ose arsye tjetër mund të jetë fakti që jam prezantuar si ish-ushtar i UÇK-së. Më vjen keq nëse kjo është një tjetër arsye shtesë. Sipas rrethanave që po zhvillohen, po më duket se jemi fajtorë që kemi qenë ushtarë të UÇK-së” – vazhdon Adem Ramadani.

Ditën që u masakruan 45 shqiptarë në Reçak, Ramadani i veshur me uniformën e UÇK-së, u plagos nga snajperi që ia shpoi kurrizin për t’i kaluar plumbi më pas përtej kraharorit.

Ani pse plaga ishte e rëndë, Ramadani pas pak javësh u rikthye përsëri në frontin e luftës, ende i pashëruar plotësisht.

Dje, më 15 janar, janë përkujtuar viktimat e Masakrës së Reçakut që i parapriu intervenimit të NATO-s, e në aleancë me UÇK-në e çliruan Kosovën.

Lajme të ngjashme