A i morët lakmi Shqipërisë sot krejt?
Sot, kur pashë Shqipërinë, ndjeva një shtim të dashurisë për të, por njëkohësisht më lindën edhe ndjenja xhelozie. Qëllimisht iu riktheva një fjalimi të Edi Ramës të mbajtur në vitin 2013 – lidhur me refuzimin e Shqipërisë për të pranuar armët kimike siriane, kërkesë që në atë kohë kishte ardhur ekskluzivisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. (Arsyeja pse iu riktheva atij fjalimi, do t’jua shpjegoj shkurt në minutat e kësaj videoje, pak më vonë)
Le ta marrim të mirëqenë për një çast se nuk ka rëndësi kush ka qenë kryeministër i Kosovës në katër – pesë vitet e fundit dhe as se kush do të jetë në katër vitet e ardhshme.
Pavarësisht kësaj, kushdo që e do Republikën e Kosovës, me shumë gjasë po ndjen sot një përzierje emocionesh – dashuri, por edhe një dozë xhelozie – teksa sheh Shqipërinë mikpritëse të 47 liderëve të Evropës në sheshin Skënderbe. Të gjithë së bashku në një vend, për të diskutuar çështje madhore të kontinentit, veçanërisht rreth sigurisë.
Si arriti Shqipëria ta zinte këtë vend kaq të rëndësishëm në skenën ndërkombëtare, në një kohë kaq të shkurtër?
Më kujtohet që nga viti 2011 deri rreth vitit 2016, Kosova organizonte një konferencë ndërkombëtare të quajtur “Gërmia Hill”, ku merrnin pjesë përfaqësues shtetesh, diplomatë, gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga vende të ndryshme. Edhe pse në atë kohë shumë prej nesh ishim kritikë ndaj qeverive dhe kryeministrave të asaj periudhe, dinamika që krijohej nga ky organizim – sado i kufizuar në përmasa dhe, le ta themi, edhe në cilësi – i jepte njëfarë hijeshie kryeqytetit dhe e bënte Prishtinën të dukshme. Në një mënyrë apo tjetër, transmetohej mesazhi se Kosova po lëvizte në planin diplomatik.
Për ne në Kosovë, që kemi qenë dëshmitarë të një rotacioni të konsiderueshëm politik, pavarësisht mangësive dhe sfidave, fitorja e katërt radhazi e Edi Ramës na është dukur disi e tepërt. Jo se ishte fundi i Shqipërisë – siç e komentoi një deputet rishtazi i zgjedhur – por që nga viti 2013, të jesh në pushtet për më shumë se një dekadë, pa një ndërrim politik, sjell një shije të hidhur në kuptimin e – sidomos – demokracisë. Edhe pse vota e ka mbajtur atë në pushtet, demokracia ushqehet edhe me rotacion, me ndryshim. Tek e fundit, ne kosovarët shpesh jemi lavdëruar në rajon për këtë element të jetës sonë politike – për ndëshkimin me votë. Tani, sa i përket faktit që ky rotacion po merr ngjyrime të “përmutacioneve”, kjo është çështje tjetër.
Në Shqipëri, për më shumë se një muaj, deri të dielën e 11 majit, është zhvilluar një debat intensiv mbi të gjitha të këqijat që ka prodhuar Edi Rama gjatë 12 viteve në pushtet, sidomos në aspektin e qeverisjes së brendshme. Ndërkohë, në Kosovë, gjykohesh nëse shfaq ndonjë shenjë vlerësimi për Edi Ramën – e mos e bë Zot të jesh edhe gazetar! Menjëherë të përmendet qasja e tij ndaj mediave në Shqipëri. Por ironia qëndron në faktin se shumë prej atyre që e përmendin këtë problem, heshtin për mënyrën se si Albin Kurti sillet ndaj mediave në Kosovë.
Por të kthehemi aty ku e nisa. Në vitin 2013, pak muaj pas ardhjes në pushtet, Edi Rama u përball me një presion të madh – kryesisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës – për të pranuar asgjësimin e armëve kimike të Sirisë në territorin shqiptar. President në atë kohë në SHBA ishte Barack Obama. Pas disa muajsh diskutimesh, Rama refuzoi këtë kërkesë, duke deklaruar se Shqipëria nuk kishte kapacitetet për ta përballuar një proces të tillë.
Në të njëjtën periudhë, edhe në Kosovë kishte protesta për çështje të tjera dhe disa kërkesa amerikane, në të cilat madje iu “vra pak dora” ambasadores amerikane të asaj kohe, Tracey Ann Jacobson.
Sidoqoftë, ky fjalim i Ramës, i 2013-tës, mund të lexohet sot si një manifest për raportet ndërmjet shqiptarëve dhe Amerikës. Kushdo që kthehet pas në kohë, edhe për pak, do të mund ta kuptojë pse Shqipëria sot është kaq e pozicionuar mirë në sferën ndërkombëtare – thuajse në prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.