7 orë në Prekaz për Natën e Zjarreve apo Natën e fakteve të thjeshta që i harruam - NACIONALE

7 orë në Prekaz për Natën e Zjarreve apo Natën e fakteve të thjeshta që i harruam

3 javë më parë

nga Vullnet Krasniqi

Është ora 11:00 dhe jam në Prekaz. Numri i vizitorëve nuk është edhe aq i lartë. Moti me diell. Ka grupe fëmijësh që kanë ardhur të organizuar me shkolla, grupe burrash, pak gra, bile po të mos ishin nënat me familjet e ngushta si vizitorë, gratë nuk do shiheshin askund. Nejse, për këtë temë, një herë tjetër.

Të gjithë të pranishmit i bashkon një ritual: fotografimi, xhirimi. Shitës farash e pijesh me keksa nëpër trotuar. Meny me dynera e hamburgera dhe veshje me motive kombëtare në katin e parë të një shtëpie afër Kullës së Jasharjave. Ajo i jep jehonë Kompleksit me këngët tradicionale patriotike për Prekaz dhe UÇK.

Nja 200 metra përballë tij, një tjetër kat përdhese i një shtëpie shumë afër Kullës kryesore, i bënë konkurrencë me zërim. Këngët i kanë të njejta.

Herën e fundit kur kam qenë në Natën e Zjarreve në Prekaz, nuk e mbaj mend. Nuk e kam idenë se çka duhet të rrëfej nga Prekazi, por kisha harru që rrëfimin për Prekazin e sotëm e kisha përcaktuar qysh një ditë përpara, kur vendosa të të shtroj një pyetje.

Një pyetjeqë e kam menduar si naive na doli problem real duke reflektuar mungesë të kujtesës kolektive për anëtarët e Familjes që u vranë me 7 Mars 1998.

Mënyra sesi i kemi kujtuar tragjedinë e Familjes Jashari në 25 vitet e fundit ka pas dy forma: duke përdorur më së shumti simbolikën e Familjes, si një tërësi e vetme e sakrificës, vuajtjes dhe heroizimit, ose glorifikimin e komandantatit legjendar Adem Jashari, si një kundër reagim ndaj gjeneralizimit. Plus më lehtë ta mbash mend 2-3 heronj sesa 20.

Për 24 orë afro 1 million përdorues në Facebook kanë disktuar ose kanë përcjellë reagimet mbi një video në Nacionale me pyetje timen tepër sipërfaqësore në dukje: Sa anëtarë të Familjes Jashari janë vrarë saktësisht?

Në Prekaz, të martën kjo ishte kryetema e shumicës së vizitorëve. Kurrë më shumë njerëz nuk më kanë folur dhe mirëpritur brenda një dite sesa sot në Prekaz. Kjo ma dhuroi hapësirën që ta njoftoj Kompleksin Memorial “Adem Jashari” dhe ceremoninë e “Natës së Zjarreve” nga një perspektivë që nuk e kam parë asnjëherë në raportimet nga kjo ngjarje.

Por edhe u desht të sqarohesha para kamerës nga pyetjet që me të drejtë kishin për mua. Dhe në fakt me këtë nevojë të komunikimit nisi edhe dita 7 orëshe në Prekaz.

Gabimi Qëllimshëm

Êshtë ora 14:00. Me kameramanin e bëjmë muhabetin e zakonshëm “ku po hajna buk” dhe pasi vendosim se në Prekaz nuk ka asnjë shans që kjo të ndodhë, nisemi në Skenderaj, n'qendër.

Jashtë temës pak, ama struktura biznesore dhe kapitaliste brenda Kompleksit Memorial “Adem Jashari” është një pazar me karrika plastike dhe muzikë të përzgjedhur patriotike. Nejse, edhe kjo temë për tjetër herë.

Qe dy orët e fundit në Prekaz tek Kompleksi Memorial ndodhte një ritual i njejtë i një mase të njejtë njerëzisht që endeshin prej vizitës tek varret, kullat dhe hapësirat tjera duke përfunduar si të përhumbur duke mos ditur se çka të bëjnë tash.

Edhe unë në një moment pata një dilemë të tillë. I kisha përfunduar të gjitha storjet e planifikuara, ose së paku kështu mendova deri sa nuk e pash një video ku shkruhej: Hamëz Jashari nipi i heroit me të njejtin emër dërgon mbështetje Luzit në Big Brother. Ai me një gotë verë në dorë, e kuptonte pak mbiemrin Jashari, por e mbyste dyshimi i emrit, që sigurisht i lidhej me Hamzën që ka vdekur. “Ç’është Prekazi” pyeste një aktore tjetër në atë shtëpi.

I rash pishman që nuk e kam pa më herët se do ta kisha futë tek kjo video ku unë jam në kërkim të vizitorëve nga Shqipëria.

Në pritje të Zjarreve

Në programin zyrtar të shënimit të Epopesë së UÇK-së thuhej se ndezja e zjarreve në Prekaz do të ndodhte në orën 17:00, por u vonua një orë, e gjatë asaj kohe, në një shëtitje e sipër, shkoj të shoh se kënd po pret musafir në kullën e tyre, Rifat Jashari.

Kur shkova aty ai jo që priste musafir por edhe fotografohej me të. Më duket e tepërt që ti kërkojë edhe intervistë, për arsyen e thjeshtë: nuk na e ka borxh as detyrim me na u rrëfy ose arsyetu.

Vendosi t’i lërë të qetë krejt anëtarët e familjes dhe të fokusohem tek mysafirët. Përpara e kam deputetin e vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi. Vendosem t’i flas dhe ta pyes për gjëra që më erdhën aty për aty.

Ora po afrohej 18:00. Tri grupe ushtarësh me flakadanë në duar vijnë nga të tria anët e Kompleksit Memorial. Unë jam në kodër, tek pjesë ku do të ndizej Zjarri i Madh. Punëtorët aty po bëjnë spërkatjen me benzin të druve që do t’ia shtinin flakën pas 5 minutave, duke përmbyllur edhe ditën e fundit të Epopesë së UÇK-së në Prekaz.

Lajme të ngjashme