Vedat Muriqi bëhet kosovari i parë që shënon në Bernabeu, por Real Madridi e shkatërron Mallorcan për ta vazhduar ecurinë e përkryer
Real Madridi e ka mposhtur me përmbysje 4:1 Mallorcan duke e vazhduar ecurinë e përkryer të fitoreve të njëpasnjëshme në La Liga, në një ndeshje ku Vedat Muriqi u bë futbollisti i parë i Kosovës që i shënon gjigantit spanjoll në Santiago Bernabeu.
Përfaqësuesi i Kosovës Muriqi e kaloi Mallorcan në epërsi në minutën e 35-të, kur e mposhti portierin Thibaut Courtois me një goditje të fuqishme me kokë pasi kërceu mbi mbrojtjen vendase.
Vedat Muriqi shenon ne Bernabeu...
— Kaltër (@kalterinaa) September 11, 2022
El Pirata ❤️🦅 pic.twitter.com/YkbbpX2ktj
Por kampioni në fuqi spanjoll e përmbysi rezultatin falë një goli të mrekullueshëm individual të Federico Valverdes në minutën e 45, dhe tri golave nga Vinicus Junior në minutën e 73-të, Rodrygo në minutën e 89-të dhe Antonio Rudiger në kohën shtesë, për ta arritur fitoren e pestë në po aq ndeshje këtë sezon.
Muriqi ka mundur ta shihte emrin e vet në tabelën e golashënuesve nga ky takim, pasi në çastet e para të ndeshjes pati një mundësi të madhe shënimi.
Ai e mori një pasim të gjatë në minutën e dytë dhe e kaloi mbrojtësin gjerman Antonio Rudiger duke ia kaluar topin anash dhe e la tërë mbrojtjen madriele të shtangur mbrapa. Por goditja e tij e fuqishme me gjysmë vollej ishte direkte dhe u prit nga portieri Thibaut Courtois, si pasojë.
Madridi mbetet lider me pikë maksimale, 15 nga pesë ndeshje, i ndjekur nga Barcelona që ka dy pikë më pak.
Mallorca, për të cilën kjo ishte humbja e dytë në pesë ndeshje këtë sezon, ngel e 13-ta me pesë pikë.
Goli i tretë i Muriqit në pesë ndeshje
Muriqi – i cili iu bashkua Mallorcas nga Lazio këtë verë në një marrëveshje prej 7 milionë eurove – i ka shënuar tri gola në katër ndeshje për klubin ishullor deri tani këtë sezon.

Sulmuesi prizrenas, 28 vjeç, e arriti kthimin e shumëdëshiruar në Mallorca – te e cila e kishte kaluar pjesën e dytë të sezonit të kaluar në huazim – vetëm pasi Club Brugge e kishte prishur marrëveshjen për blerjen e tij duke pretenduar se kosovari kishte dështuar t’i kalojë testet mjekësore.
Mallorca e kishte dashur aq shumë Muriqin këtë verë, por fillimisht kishte hasur në një ngurrim të fortë nga Lazio për ta lëshuar për më pak se 12 milionë euro.
Por dështimi i kalimit të tij në Brugge për rreth 11 milionë euro bëri që Lazio të heqë dorë nga kërkesa fillestare dhe ta lejojë atë të kthehet në La Liga për 7 milionë.
Muriqi ishte mbase më meritori që Mallorca i shpëtoi rënies nga La Liga sezonin e kaluar, falë kontributit të tij prej pesë golave dhe tri asisteve në 15 paraqitje. Pra, më shumë se çdo lojtar tjetër i Mallorcas në vitin 2022, apo që prej kohës kur ai iu bashkua atyre, dhe mjaftueshëm për ta shpëtuar skuadrën nga rënia në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll.