Ulpiana ndërron delegatin në prag të zgjedhjeve në FFK duke nxitur dyshime për procesin zgjedhor
Zëvendëspresidenti dhe donatori i Ulpianës, Bujar Shabani, ka thënë për Gazetën Nacionale se do ta përfaqësojë klubin bashkë me drejtorin Enver Duriqi në votim për zgjedhjet presidenciale në Federatën e Futbollit të Kosovës më 6 prill.
Vendimi i klubit të Superligës për ta ndërruar njërin delegat pak para zgjedhjeve i rrit edhe më shumë dyshimet për një proces të dëmtuar zgjedhor. Klubet e Superligës i kanë dy vota në Kuvendin Zgjedhor për zgjedhjet për president të shtëpisë së futbollit.
Ulpiana, e cila po lufton për mbijetesë në Superligë në vitin e saj të parë në elitë, përfaqësohej nga Sekretari i klubit, Ylli Jashari, dhe Duriqi në Kuvendin Zgjedhor të FFK-së deri tani këtë sezon.
Por Shabani - i cili e mori drejtimin e klubit pas dorëheqjes së presidentit Abedin Salihu në dhjetor të vitit të kaluar - ka njoftuar se e ka pezulluar nga klubi Jasharin deri në një njoftim të radhës.
Ai thotë se vendosi ta pezullojë Jasharin "për shkak të rezultateve të dobëta të skuadrës".
“Jo, dje e kemi marrë vendimin, është kryer, është dorëzuar. Është dorëzuar në federatë. Tash delegatë jemi unë dhe Enver [Duriqi] drejtori”, konfirmoi Shabani për Gazetën Nacionale.
Vendimi i Shabanit kundërshtohet dhe shpërfillet nga Jashari
Megjithatë, Jashari e ka mohuar të jetë pezulluar nga detyra, duke i thënë Gazetës Nacionale: “Jo, jo nuk jam [pezulluar]. Po të isha do të jepja dorëheqje.”
Ai e mohoi po ashtu se Ulpiana e ka ndërruar delegatin, duke pretenduar se ai vijon të jetë delegat siç ishte caktuar në fillim të këtij sezoni.
“Nëse duam t’i ndërrojmë delegatët atëherë mbajmë mbledhje te bordit”, tha Jashari.
Më herët gjatë ditës, Jashari e kishte publikuar një fotografi në llogarinë e klubit në Facebook të vendimit të parafillim sezonit, duke thënë: “Klubi njofton opinionin dhe te gjitha palët e interesuara se nuk mund askush të ndërhyjë në politikat e KF ULPIANA 1926, nga Lipjani”.
Në zgjedhjet e 6 prillit do të garojnë presidenti i tanishëm i shtëpisë së futbollit në vend, Agim Ademi dhe Gramoz Vokrri, djali i legjendës së futbollit shqiptar dhe ish-presidentit të FFK-së, Fadil Vokrri.
Më 2 mars, FFK-ja i shpalli zgjedhjet e reja për 6 prill, duke iu dhënë kandidatëve të mundshëm jo më shumë se një muaj kohë për t’i përgatitet programet e tyre.
Pretendohet se me këtë, ajo e ka shkelur Nenin 39 të Statutit të federatës, i cili thekson se kuvendi zgjedhor për emërimin e presidentit të FFK-së duhet të thirret dy muaj më herët.
Ademi - i cili është në rigjykim për veprën penale detyrim në tentativë dhe nën hetime për kurdisje - po e kërkon një mandat të dytë katërvjeçar si shef i futbollit në vend.
Vendimi i FFK-së për zgjedhje të parakohshme, duke qenë se Ademit nuk i mbaron mandati i tanishëm deri në korrik, dhe kritikat e mëdha ndaj tij, e kanë detyruar Ministrinë e Sportit të reagojë disa herë për të bërë thirrje për proces të drejtë zgjedhor.
FFK-ja, ndërkohë, u ankua sot se delegatëve dhe anëtarëve të saj po iu bëhet presion dhe shantazhe para zgjedhjeve të 6 prillit.
“Komiteti Ekzekutiv qysh prej vendimit të datës 02 mars 2022 me caktimin e datës së kuvendit të Rregullt Zgjedhor, e sidomos në ditët e fundit, ka pranuar shumë informata dhe ankesa nga delegatët dhe anëtarët e FFK-së se po ju bëhet presion nga persona dhe struktura jashtë sportit e futbollit, në mënyrë që të pengojnë mbarëvajtjen e rregullt të kuvendit të thirrur për datën 06 prill 2022”, thuhet në një njoftim të FFK-së.