Tifozët e Liverpoolit u fajësuan padrejtësisht për kaosin në finalen e Ligës së Kampionëve, sipas raportit të Senatit francez - NACIONALE

Tifozët e Liverpoolit u fajësuan padrejtësisht për kaosin në finalen e Ligës së Kampionëve, sipas raportit të Senatit francez

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Tifozët e Liverpoolit u fajësuan padrejtësisht për kaosin në finalen e Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar në Paris, me qëllim për ta hequr vëmendjen nga dështimet e mëdha të organizatorit, sipas një raporti të Senatit francez.

Senati i ka dëgjuar dëshmitë të tifozëve të Liverpoolit, policisë franceze, zyrtarëve qeveritarë dhe drejtorit të UEFA-s për këtë ngjarje, Martin Kallen, që prej ndeshjes së zhvilluar më 28 maj, e cila kishte nisur me më shumë se gjysmë ore vonesë.

Qeveria franceze fillimisht i fajësoi tifozët e Liverpoolit dhe biletat e rrejshme për turmën dhe kaosin, i cili bëri që tifozët të sulmoheshin me gaz lotsjellës dhe të plaçkiteshin.

Por raporti i Senatit ka gjetur se autoritetet i fajësuan ata padrejtësisht.

Raporti i publikuar këtë të mërkurën thotë: “Është e padrejtë dëshira për t’i bërë përkrahësit e Liverpoolit ta bartin përgjegjësinë për trazimet që ndodhën, siç bëri ministrja e Brendshme për ta larguar vëmendjen nga paaftësia e shtetit për ta menaxhuar siç duhet numrin e madh të tifozëve pranë stadiumit dhe për t’i parandaluar veprimet e disa qindra shkelësve të dhunshëm dhe të bashkërenduar”.

Raporti gjeti se kaosi u shkaktua nga një varg ngjarjesh dhe keqmenaxhimesh disa ditë dhe orë para fillimit të finales.

“Sistemet në funksion kishin shumë të meta sa i përket inteligjencës (mungesa e huliganëve por prania e një numri të madh të shkelësve), rrugët e transportit për tifozët dhe komunikimi i pamjaftueshëm”, thuhet tutje në raport.

Raporti i Senatit po ashtu gjeti se autoritetet franceze duhet të marrin mësime nga, siç e quajti, ky dështim i përbashkët, dhe t’i zbatojnë ato në organizimin e Kupës së Botës në Rabgi vitin e ardhshëm dhe Lojërave Olimpike Verore 2024.

Raporti i përshkroi menaxhimin e sistemit të biletave nga UEFA si të papërshtatshëm dhe e kritikoi mungesën e trajnimit të rojeve të sigurisë, të cilët ishin pushtuar shumë shpejt nga turma e tifozëve.

Lajme të ngjashme