Thumbon Mandzukic: Juventusi nuk është skuadër për çfarëdo lojtari
Ish-sulmuesi kroat i Juventusit, Mario Mandzukic, ka dhënë intervistë për “Gazzetta Dello Sport”, ku ka folur rreth krizës aktuale që po kalon skuadra torineze, paçka nuk la pa thumbuar edhe lojtarët aktualë të saj.
Gjatë kohës kur ai ishte pjesë e Juventusit, më saktësisht në periudhën 2015-2019, skuadra ishte makineri e pandalshme në kampionat, por edhe arrë e fortë në Ligën e Kampionëve, ku prekte gjysmëfinalen dhe finalen.
Mario Mandzukic ka luajtur një rol domethënës në sukseset e “zonjës së vjetër”. Kur u largua ai nga skuadra, respektivisht në vitin 2019, drejtuesit e Juventusit hasën në vështirësi të mëdha që të gjenin një prototip sulmuesi si ish-përfaqësuesi kroat, i cili ishte në gjendje që t’i vendoste ndeshjet nga hiçi me golat e tij.
I intervistuar nga “Gazzetta Dello Sport” për formën aktuale të ekipit, ai deklaroi se shkaktar i krizës është humbja e një kontingjenti lojtarësh që kishin mentalitet fituesish.
“Të nisemi nga premisa që nga jashtë nuk është e lehtë që të japësh gjykime, por në futboll asgjë nuk zgjat përgjithmonë. Kështu që, edhe mbizotërimi i Juventusit ishte destinuar që të përfundonte herët apo vonë. Ka humbur disa liderë krucialë, djem që dinin si të fitohej me vazhdimësi. Juventusi nuk është për cilindo”, nënvizoi ai.

Mandzukic mendon se ka dallim mes të fituarit një ndeshje dhe të qenët të zotë që të hysh në një seri fitoresh.
“Është relativisht e lehtë që ta zhvillosh një ndeshje të madhe, por është e vështirë që ta përsërisësh çdo javë dhe kjo është ajo që ka nevojë për t’u bërë nëse dëshirohet që të fitohet një titull”, saktësoi ai.
Nevoja për kompaktësi
Mario Mandzukic mendon që Juventus i sotëm, një ditë para derbit të madh që do ta zhvillojë kundër Interit, ka akoma cilësi në fondin e lojtarëve, vetëm se duhet që ta krijojë një kompaktësi.
“Juventusi akoma ka shumë cilësi, vetëm se nevojitet kohë për ta ndërtuar një skuadër, një karakter dhe të fitohen zakonet që sjellin titullin”, saktësoi ai.
Juventusi është klubi më i trofeshëm në Itali. Me plot 36 tituj të fituar, lë mbrapa skuadrat milanezë si Inter dhe Milan që kanë nga 19 sosh.
Për më tepër, skuadra torineze ka bindshëm edhe komunitetin më të madh të tifozëve në nivel vendi, në çdo pjesë gjeografike të tij.
Forma momentale që po kalon, sidomos pas eliminimit nga faza e grupeve në Ligën e Kampionëve, i ka dhënë një shije të hidhur sezonit. Faktor që ka ndikuar që edhe stadiumi të jetë shpesh me sektorë të ndryshëm të tribunave të zbrazura. Fajtori kryesor nga të gjithë shihet Max Allegri si trajner që nuk po arrin ta menaxhojë siç duhet ekipin e vet.

Mandzukic, si ish-lojtar i saj, vijon të mbajë doza shprese: “Jam i sigurt që herët apo vonë Juventusi do të rikthehet në nivelin që tifozët dëshirojnë.”
Juventus zë pozitën e 8-të në renditjen tabelore me 22 pikë. Distanca me vendin e parë që mbahet nga Napoli është 10 pikë. Andaj, sfida derbi me Interin nesër për shumë analistë sportivë llogaritet si një mundësi e fundit për t’u afirmuar apo larguar në garën për titull.


