Cassano: Njerëzit vazhdojnë ta mbrojnë Allegrin, por Juventus ishte turpi i botës në Ligën e Kampionëve
Antonio Cassano ka vazhduar ta shënjestrojë me kritika Max Allegrin, duke thënë se për faj të tij skuadra ka bërë një rrugëtim turpërues në Ligën e Kampionëve.
Max Allegri tha se është i kënaqur për kualifikimin në Ligën e Evropës. Fatin e skuadrës së tij nuk e kanë pasur të gjithë, ngase me 3 pikë të kualifikohesh në Ligën e Evropës nuk është se ndodh çdo ditë.
Ajo që më së shumti vazhdon ta irritojë Cassanon është mënyra se si arsyetohet Allegri përkundër rezultateve të dobëta të ekipit të tij.
“Shoh deklaratat e trajnerit kur thotë ‘Juve e madhe – ka luajtur mirë’, por e njëjta ka pranuar pesë humbje në gjashtë ndeshje. Nuk ka ndodhur kurrë në historinë e klubit. Nuk ka ndodhur asnjëherë që një skuadër me pesë humbje në gjashtë ndeshje të kualifikohet në Ligën e Evropës”, shtoi ai.
Për të është nevrikosëse se si Juventus po e relativizon ecurinë negative në Ligën e Kampionëve: “Dje Benfica bëri gjashtë gola në shtëpinë e Maccabi Haifas dhe Juventus vazhdon të thotë ‘kemi bërë një paraqitje të mirë – kemi luajtur mirë dhe jemi shumë të frustruar. Mirëpo, për çfarë frustrimi po flasim? Kanë prodhuar një katastrofë."

Për Cassanon është e çuditshme se si ka njerëz që vazhdojnë ta përkrahin Allegrin, duke e shfajësuar atë për krejt këtë krizë në të cilën po kalon skuadra
“Kanë bërë diçka të turpshme, duke humbur pesë ndeshje nga gjashtë sosh dhe akoma ka vazhdojnë ta mbrojnë Allegrin. Ai ka bërë një fushatë të fëlliqur në Ligën e Kampionëve. Pikë”, deklaroi ai në profilin zyrtar të tij në “Instagram”.
Kritikat ndaj Juventusit
Gjatë ditës shumë opinionistë sportivë në Itali janë deklaruar për ecurinë e Juventusit në Ligën e Kampionëve që përfundoi në kushtet më mizore të mundshme, me vetëm tre pikë të arkëtuara, duke u renditur si e treta.
Ishte vetë legjenda e klubit, Alessandro Del Piero, ai që quajti kualifikimin në Ligën e Evropës si diçka të rastësishme. Edhe ai vuri theksin te fakti që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë që një skuadër të humbiste pesë ndeshje në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve dhe të kualifikohej në Ligën e Evropës.
Ndërsa Allegri pas ndeshjes së djeshme që e humbi kundër PSG deklaroi se është shumë i frustruar për të gjithë rrugëtimin në kompeticionin më të madh evropian, por – njashtu – shprehi lumturinë e tij për kalimin në Ligën e Evropës, pavarësisht se si ndodhi ai.

