Anipse pësoi disfatë nga PSG, Juventus kualifikohet në Ligën e Evropës – Man. City fiton me përmbysje
PSG ka shënuar një tjetër fitore kundër Juventusit, duke e mposhtur atë në “Allianz Stadium” me rezultat 1:2. Juventus prapëseprapë u kualifikua në Ligën e Evropës. Në ndeshjen tjetër, Manchester City mposhti 3:1 Sevillan.
PSG nuk e kurseu Juventusin, duke e mposhtur edhe në terrenin e saj, megjithëse skuadra e Allegrit siguroi kualifikimin në Ligën e Evropës. Sidoqoftë, kjo fitore nuk i shërbeu edhe shumë ekipit parisien për ta ruajtur statusin e skuadrës që mbyll grupin në vendin e parë, pasi në sekondat e fundit një gjë të tillë ia rrëmbeu nga duart Benfica.
Për Juventusin mbrëmja mund të ishte më e kobshme nëse Maccabi Haifa do të regjistronste qoftë edhe një barazim ndaj Benficas. Kështu nuk ndodhi sepse ekipi portugez shënoi fitore bindëse në Izrael me rezultat 1:6. Ishte pikërisht goli i fundit i shënuar nga Joao Mario në minutën e 92-të ai që ia mundësoi Benficas që ta mbyllë grupin duke e udhëhequr atë.
Në “Etihad” Manchester City fitoi ndaj Sevillas, edhe pse u gjend në disavantazh në fillim, duke mbyllur kështu në vendin e parë grupin përkatës.
Raporti i ndeshjes Juventus 1:2 PSG
Juventus nuk ia doli që ta mbyll me fitore një grup ku u paraqit mizorisht, duke pësuar humbjen e pestë në gjashtë ndeshje të zhvilluara në edicionin e sivjem të Ligës së Kampionëve.
Në minutën e 13-të dallimin e bëri Mbappe. Sulmuesi këmbëshpejtë francez shënoi nga një aksion vetanak i shkëlqyer, ku dribloi dy kundërshtarë para se ta lironte një goditje vrastare në drejtim të portierit kundërshtar për 0:1.
Juventus nuk u pajtua me këtë rezultat dhe u përpoq që të bënte maksimumin për të reaguar sa më parë. Kështu, ekipi i Allegrit shënoi golin e barazimit me Bonuccin. Në minutën e 39-të përfaqësuesi italian u gjend në zonë pas nisjes së shpejtë të një ndërprerje, duke devijuar topin në rrjetë pasi u shërbye nga Cuadrado.
Megjithatë, edhe pse Juventus ishte skuadër më mbizotëruese në lojë, nuk ia doli që t’i shpëtojë humbjes. Mbappe gjeti të lirë në minutën e 69-të Mendesin. Ky i fundit bëri një vrapim të shpejtë në shoqërim me topin, duke shënuar nga një pozitë jo e lehtë për 1:2.
Me këtë rezultat u mbyll e tërë ndeshja. Tani Juventus e ka të qartë që do të jetë pjesë e Ligës së Evropës nga gjysma e muajit shkurt kur do të fillojë faza e eliminimit direkt. Ndërsa PSG e mbylli në vendin e dytë Grupin H falë 14 pikëve të arkëtuara.

Duhet theksuar se në rastin e Juventusit ekipi italian ka grumbulluar vetëm 3 pikë në këtë grup.
Raporti i ndeshjes Manchester 3:1 Sevilla
Manchester City shënoi fitoren e radhës në Ligën e Kampionëve. Gjithsesi, kjo disfatë nuk është se i prishi shumë punë Sevillas, pasi u kualifikua në Ligën e Evropës, meqë kishte javë që ishte privuar nga çdo mundësi për t’u kualifikuar në fazën e eliminimit direkt.
Goli i parë u shënua nga Sevilla. Ishte Mir ai që me kokë në minutën e 31-të pas një këndore të ekzekutuar u dha mysafirëve golin e epërsisë.
Manchester City nuk u step dhe barazoi rezultatin në pjesën e dytë. Mbrojtësi 17-vjeç, Lewis, finalizoi mjaft bukur një aksion të ndërtuar për mrekulli në minutën e 52-të.
Pas diçka më shumë se njëzet minuta, respektivisht në minutën e 73-të, ishte De Bruyne që me një asist të përsosur gjeti të lirë Alvarezin. Ky i fundit dribloi portierin dhe shënoi për 2:1.
Golin që ia vulosi fitoren Manchester Cityt e shënoi Mahrez në minutën e 83-të, pasi u shërbye nga Alvarez.
Me këtë fitore Manchester City mbylli si lider Grupin G me 14 pikë, ndërsa Sevilla u kualifikua në Ligën e Evropës pasi renditet në vendin e 3-të me 5 pikë.

