Superliga e Kosovës: Ballkani mund të shpallet kampion vjeshtor, përballet me Prishtinën në Suharekë
Sot zhvillohet ndeshja e fundit e sezonit vjeshtor në Superligën e Kosovës, ku takohen Prishtina e Ballkani në Stadiumin e Qytetit në Suharekë në ndeshjen e mbetur nga java e 14-të. Suhareakasit synojnë fitoren për t’u shpallur kampion i vjeshtës, ndërsa kryeqytetasit kërkojnë të përfundojnë të tretit pas 18 ndeshjeve të para.
Kampioni në fuqi, Ballkani, për shkak të angazhimeve në Evropë, më saktësisht në Ligën e Konferencës, nuk kishte arritur që t’i luante të gjitha ndeshjet në kohë, ndërsa tani kur pjesa tjetër e skuadrave është në pushim, ata kanë zhvilluar ndeshjet e mbetura.

Ndeshja e fundit e mbetur është kjo mes Prishtinës e Ballkanit.
Drita është momentalisht lider në Superligën e Kosovës me 38 pikë pas 18 ndeshjeve, ndërsa Ballkani ka një pikë më pak, çka do të thotë se synimi kryesor i tyre është të përfundojnë të parët dhe ta shfrytëzojnë këtë përparësi që kanë.

Pjesa tjetër tabelës është shumë e shkëputur nga vendi i parë dhe i dytë, me Gjilanin që është i treti me 27 pikë, ndërsa Prishtina me një pikë më pak në vendin e katërt, e cila kërkon fitoren për të mbetur në garë me dy skuadrat e para.
Ndeshja e parë e këtij sezoni mes këtyre dy skuadrave ka përfunduar me fitoren minimale të Ballkanit 1:0 në fillim të muajit shtator në udhëtim në kryeqytet, teksa tani kampioni aktual i Kosovës e pret Prishtinën e Munishin në ndeshjen përcaktuese për kampionin vjeshtor.
Ballkani në këtë ndeshje vjen në formë të mirë, pasi një javë më parë mposhti Llapin në udhëtim me rezultat 3:0, ndërsa Prishtina ka zhvilluar vetëm ndeshje miqësore, pasi ndeshjet paraprake në Superligën e Kosovës i kishte përfunduar në kohë.
Kjo ndeshje ishte shumë e përfolur nga skuadra e kryeqytetit, për shkak të rrethanave se si u shty kjo ndeshje, me Prishtinën që pretendonin se po u bëhet e padrejtë atyre dhe po përkrahet Ballkani, pasi që skuadra e Ismet Munishin në prag të asaj ndeshje ishte në formë të mirë dhe vinte pas katër fitoreve radhazi.

