Ballkani fiton derbin kundër Prishtinës
Kampioni i Kosovës, Ballkani ka fituar në kryeqytet ndaj Prishtinës, në kuadër të kryederbit të xhiros së pestë në Superligën e Kosovës.
"Xhebrailat" shënuan fitore me rezultat minimal 0:1.
Ndeshja ishte shumë e baraspeshuar me dy skuadrat që kishin raste të mira shënimi, por falë disa super pritjeve të Ardit Nikës, respektivisht Stivi Frashërit nuk kishte shumë gola.
Në fakt, golin e vetëm në këtë ndeshje e realizoi sulmuesi Albion Rrahmani, që shënoi me kokë pas një harkimi të saktë të mbrojtësit Armend Thaqi në fundin e pjesës së parë (45').
Ballkani në fakt kishte rastet më të mirë duke rrezikuar disa herë përmes Korenicës e Thaqit, mirëpo iu mungoi finalizimi i tyre.
Ndërkohë, Prishtina në këtë sfidë më shumë u mbrojt duke provuar të përfitojë nga kundërzbritjet, mirëpo as ato nuk u finalizuan.
Kështu, Ballkani merr fitoren e tretë në po aq ndeshje të zhvilluara, duke qenë në pozitën e dytë në tabelë me nëntë pikë, derisa Prishtina bie në pozitën e katërt me shtatë sosh.
Në xhiron e radhës, Ballkani do ta zhvillojë sfidën e vështirë kundër Dritës, derisa Prishtina do të jetë mysafir i Gjilanit.