“S’na paguan as hotelin...kishte shtuar peshë”: Rrëfime rrëqethëse si Muriqi nuk kaloi testet mjekësore te Club Brugge
Kalimi i Vedat Muriqit te Club Brugge gjatë afatit kalimtar veror ishte parë si gjë e kryer deri në ditën kur dolën lajmet se ai kishte dështuar t’i kalonte testet mjekësore. Në Belgjikë janë zbuluar disa të pathëna rreth këtij rasti absurd.
Një burim i afërt me Vedat Muriqin ka treguar në kushte anonimiteti për një medium belg prapaskenat e mostransferimit te Club Brugges gjatë verës së shkuar.
Lazio dhe Club Brugge ishin dakorduar rreth çmimit. Madje, vetë Igli Tare në një prononcim ekskluziv për Gazetën Nacionale kishte pranuar se të gjitha gjërat ishin definuar dhe se kishin shitur kartonin e sulmuesit kosovar. “Po. Jo për 9 milionë por për 11 milionë”, kishte thënë drejtori sportiv shqiptar.
Gjërat nisën të ndryshojnë me të mbërritur Muriqi në Belgjikë. Aty ndodhën disa të papritura, që as vetë përfaqësuesit e lojtarit nuk i kishin paramenduar.
“Na dërguan në një Airbnb, sepse dhomat e hotelit ishin të zëna. Nuk më ka pëlqyer aspak dhe më ka bërë të nevrikosesha”, tha fillimisht burimi afër lojtarit për mediumin belg “voetbal nieuws”.
Vedat Muriqi has landed in Brussels ahead of his Club Brugge medicals. 🇧🇪
— Kosovan Football 🇽🇰 (@kosovanfooty_EN) July 7, 2022
📸 @david_vdb pic.twitter.com/GeaZ3RKCDr
Sipas tij Vedati kishte shtuar kilogramë pas pauzës që kishte bërë dhe kjo kishte shkaktuar një pengesë në ditën e nesërme kur bëri testet mjekësore.
“I thanë ‘bëj atë që mundesh’. Vedati tha se kishte shtuar peshë pa i stërvitur këmbët dhe se nuk kishte arritur ta jepte më të mirën në testin fizik, pasi kishte vendosur maskën. Nuk dëshironte që të sforcohej dhe të lëndohej”, vazhdoi rrëfimin burimi anonim.
Për vetëm diç më shumë se 2% sulmuesi kosovar nuk arriti t’i kalonte testet mjekësore. Këtë gjë ai e mori vesh në “Twitter”.
“Paramendojeni çfarë situate. E mësoi në ‘Twitter’ që kishte dështuar t’i kalonte testet mjekësore. Duhet ta arrinte një përqindje më të madhe sesa 50% në test, por ai u ndal te 48%. Nëse do kishte bërë dy seanca stërvitore më shumë duke i ushtruar këmbët, sigurisht që do t’ia kishte dalë. Jam i sigurt që strategjia e Club Brugges ishte ajo që të zbritej çmimi. Pas dy ditësh, Vedati përsëriti testin e njëjtë mjekësor te Lazio dhe arriti 52%”, deklaroi burimi.

Gjithsesi, 28-vjeçari kosovar kaloi një periudhë jo të mirë pas atij dështimi, por për fat të mirë zgjati shumë pak. Shumë shpejt erdhi oferta e radhës nga Mallorca, që bindi drejtuesit e Lazios që ta pranonin. Tashmë “Pirati” është shndërruar në një lojtar që po bind të gjithë në Spanjë, duke udhëhequr skuadrën ishullore drejt synimit kyç që ka për këtë sezon: mbijetesën.
Ai ka shënuar tetë (8) gola dhe në raste të caktuara, kur skuadra është ndeshur me rivalë të mëdhenj, si Real Madridi apo Atletico Madridi, ka qenë lider i vërtetë. Pra, përtej golave dhe numrave kontributi i tij për ekipin e drejtuar nga Aguirre është i pamohueshëm.
