“Jo për 9 por për 11” – Lazio e konfirmon për Nacionale se Muriqi është afër kalimit te Club Brugge
Vedat Muriqi është afër kalimit te Club Brugge në Belgjikë nga Lazio, ka konfirmuar për Gazetën Nacionale drejtori sportiv i klubit italian, Igli Tare.
Lazio është duke punuar për ta larguar Muriqin në këtë afat kalimtar veror, pasi përfaqësuesi i Kosovës nuk bën pjesë në planet e trajnerit Maurizio Sarri, dhe klubi belg ka ofruar përafërsisht aq sa i kërkon Lazio për sulmuesin.
Drejtori shqiptar i Lazio Tare e konfirmoi për Nacionalen se Muriqi është pranë kalimit te kampioni belg Brugge për rreth 11 milionë euro, përafërsisht aq sa i kërkonte Mallorcas, klubit ku 28-vjeçari e ringjalli karrierën në pjesën e dytë të këtij sezoni si i huazuar nga klubi italian.
“Po. Jo për 9 milionë por për 11 milionë”, tha Tare për Nacionalen i pyetur nëse Muriqi është buzë kalimit në Brugge për 9 milionë euro.
Mallorca e kishte mundësinë për ta blerë Muriqin për 12 milionë euro në marrëveshjen për huazim me Lazion, por klubi ishullor nuk ka qenë në gjendje ta paguajë këtë shumë dhe duket se Brugge do të jetë skuadra e re për prizrenasin.
Çfarë nuk shkoi për Muriqin në Lazio
Lazio e bleu sulmuesin kosovar në shtator 2020 nga Fenerbahce për 20 milionë euro dhe entuziazmi në klubin e kryeqytetit italian ishte i madh, pasi ai po vinte si një golashënues i dëshmuar për gjigantin turk dhe ekipin kombëtar.
Megjithatë, jo gjithçka nisi mirë për 27-vjeçarin, i cili u sëmurë me Covid-19 dhe nuk qe në gjendje t’i bashkohet Lazios me kohë, duke munguar në përgatitje me skuadrën. Sikur mos t’i mjaftonte infektimi me virus, Muriqi po vuante nga një lëndim muskulor që e kishte pësuar kah fundi i sezonit paraprak me Fenerin, i cili ia zgjati edhe më shumë debutimin, deri më 17 tetor, një ndeshje që lazianët e humbën 3:0 nga Sampdoria.
Rrethanat e mbërritjes së tij në klub luajtën rol në lojën e tij nën urdhrat e trajnerit të atëhershëm Simeone Inzaghi. Ai nuk kishte kohë për t’u mësuar me taktikat e tij apo për t’u përshtatur me bashkëlojtarët. Inzaghi e përdorte kosovarin vetëm si rezervist të Ciro Immobiles dhe Joachim Correas dhe i jepe mundësi të rralla për të luajtur titullar aty-këtu.
Nën urdhrat e trajnerit të ri Sarri në sezonin 2021/22 mundësitë e Muriqit ishin edhe më të vogla, pasi trajneri italian ia dha atij vetëm një rast të luajë titullar, dhe atë në mungesë të sulmuesve të tjerë kryesorë, dhe kosovari u largua në afatin kalimtar të dimrit
Por Mallorca i ofroi një mundësi Muriqin – i cili është golashënuesi më i mirë në historinë e Kombëtares së Kosovës me 20 gola – për ta kthyer karrierën në binarë.
Dhe 28-vjeçari e përqafoi këtë mundësi duke shkëlqyer dhe duke ia shpaguar besimin klubit ishull, pasi e shpëtoi nga rënie prej La Ligës në kategorinë e dytë.
Muriqi i shënoi pesë gola dhe i dhuroi tri asiste në 16 ndeshje për Mallorcan. Asnjë bashkëlojtar i tij nuk kishte kontribuuar më shumë se kosovari në gola për Mallorcan në vitin 2022.