'Deklarata fashiste ndaj Kosovës e ministres serbe', Konjufca i shkruan BE-së: Denoni qartë dhe publikisht deklaratat e Paunoviq
Kryediplomati në detyrë i Kosovës, Glauk Konjufca, i ka shkruar letër Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, për deklaratën fashiste të ministres serbe, Snezhana Paunoviq, e cila bëri thirrje për spastrim etnik në Kosovë.
Edhe pse Bashkimi Evropian reagoi përmes zëdhënëses së Komisionit Evropian, Anita Hipper, e cila tha se në Evropë nuk ka vend për retorikë që justifikon ose promovon spastrimin etnik, Konjufca ka kërkuar ragim nga niveli i lartë i BE-së.
Në letrën e Konjufcës kërkohet që Bashkimi Evropian, siç tha ai, “t’i dënojë qartë dhe publikisht deklaratat e ministres Paunović”.
Gjithashtu, thuhet se Kosova pret nga BE-ja që ta trajtojë këtë çështje seriozisht, si në kuadër të dialogut politik, ashtu edhe të procesit të anëtarësimit të Serbisë në BE.
“Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, i ka dërguar një letër Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, pas deklaratave të ministres serbe, e cila ka bërë thirrje për spastrim etnik në Kosovë.
Qeveria e Republikës së Kosovës kërkon dhe pret nga BE-ja që t’i dënojë qartë dhe publikisht deklaratat e ministres Paunović, t’ua bëjë të qartë autoriteteve serbe se një retorikë e tillë është e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat evropiane, si dhe ta trajtojë këtë çështje seriozisht në kuadër të dialogut politik dhe procesit të anëtarësimit të Serbisë në BE”, shkruan ndër të tjera në reagimin e publikuar nga Qeveria e Kosovës që ka bashkangjitur edhe letrën derguar BE-së.
Pas kësaj deklarate pati reagime të shumta nga ndërkombëtarët, por jo deklaratë zyrtare nga Bashkimi Evropian që dënon ashpër këtë gjuhë fashiste të ministres serbe.
Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale e Serbisë, Snezhana Paunoviq, ditë më parë u deklarua në televizionin serb “Kurir TV”, duke thënë: “Po të isha në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën”.
Për deklaratën reagoi edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili theksoi se ajo nuk përfaqëson politikën e presidencës apo të Qeverisë së Serbisë.
“Politika jonë bazohet në dialog, kompromis, paqe dhe stabilitet, e kurrë në spastrim etnik. Ky është qëndrimi ynë dhe duhet të jetë krejtësisht i qartë”, deklaroi Vuçiq.