Si e mbizotëroi Suhareka sportin në Kosovë në vitin 2022 - NACIONALE

Si e mbizotëroi Suhareka sportin në Kosovë në vitin 2022

1 vit më parë

nga Ekrem Idrizi

Për Suharekën, një qytet të vogël me rreth 30 mijë banorë dhe 57 kilometra larg kryeqytetit - Prishtinës, fitimi i titujve në dy sportet kryesore në vend, futboll dhe basketboll, ishte një çast historik që ata nuk do ta harrojnë asnjëherë. Asnjë qytet tjetër, përveç Prishtinës, nuk e kishte mbizotëruar sportin pas luftës brenda një viti siç bëri këtë sezon Suhareka.

Golden Eagle Ylli ia solli qytetit trofeun e parë të madh në vitin 2021, kur e fitoi titullin e kampionit të Kosovës në basketboll. Këtë vit, ai arriti ta mbrojë titullin duke e fituar të dytin në historinë e klubit.

Ballkani i dha fund pritjes së gjatë 75-vjeçare këtë vit, duke u bërë kampion i Kosovës për herë të parë pas disa përpjekjeve dëshpëruese viteve të fundit. Kjo ishte, po ashtu, hera e parë që një klub nga ky qytet e fiton titullin në futboll.

Shaqir Palushi, aksionar te Ylli, e sheh si historike arritjen e Yllit dhe Ballkanit për qytetin e Suharekës.

Palushi, i cili është biznesmen, ka investuar shumë në klubit e basketbollit Ylli që ai ta gëzojë këtë sukses të madh, por këmbëngul se çfarë e bën të jashtëzakonshme arritjen e klubeve nga Suhareka është mbështetja e madhe nga tifozët dhe i gjithë qyteti.

“Unë besoj se për një qytet të vogël sikur Suhareka, kjo është historike, sepse ekipet e tjera kanë pasur edhe njerëz, përvojë dhe buxhete më të mëdha se dy ekipet e Suharekës. Por unë besoj se çfarë nuk kanë pasur ato e që e kanë pasur ekipet e Suharekës, është mbështetja e plotë e tifozëve dhe të gjithë qytetarëve të Suharekës”, tha Palushi për Nacionale.

Palushi u zotua se do t’i vazhdojë investimet në klub dhe se do ta ruajë strukturën e ekipit për të korrur më shumë sukses. Qëllimi i tij është të krijojë basketbollistë nga gjeneratat e reja, por këmbëngul se mungesa e lojtarëve vendas e shtyn të investojë në lojtarë të huaj.

“Patjetër se do të vazhdoj ta mbështes ekipin dhe besoj se bashkëpunimin do ta vazhdojmë me pjesën më të madhe të lojtarëve, që ta kemi një ekip shumë të fortë me qëllim për t’i fituar trofetë edhe sezonin e ardhshëm. Ka qenë shumë e vështirë, aq më tepër kur ka lojtarë të pamjaftueshëm vendorë, sepse unë jam ithtar që të punohet me lojtarë vendas, që mund të krijojmë sportistë nga gjeneratat e reja. Nuk ka qenë e lehtë të marrim lojtarë nga jashtë.”

Kur Arsim Kabashi, një biznesmen ndërtimi, e mori në dorë Ballkanin në vitin 2017, nisi një epokë e re për futbollin në Suharekë. Atij iu desh kohë dhe shumë investime për ta ndërtuar ekipin dhe për ta kthyer në një fuqi në Superligë, së pari duke e shpëtuar nga rënia në kategorinë e dytë.

“Mendoj se ka qenë shumë e rëndësishme se Suhareka e ka pritur titullin që 75 vjet. Është një festë e madhe për futbollin por edhe për basketbollin”, tha Kabashi.

Pas dy tentimeve, kur kishte qenë shumë pranë titullit në sezonet 2019/20 dhe 2020/21, Ballkani më në fund e fitoi titullin e parë në historinë e klubit nën drejtimin e Ilir Dajës në përpjekjen e tretë radhazi.

Por për të arritur këtu, Kabashit iu desh t’i shkarkojë tre trajnerë, Bekim Isufin, Ismet Munishin dhe Bledi Shkëmbin.

Ai shtoi: “Në tri-katër vitet e fundit kam bërë shumë investime dhe më është dashur të shtoj edhe më shumë se ç'duhej për ta bërë një klub kompakt dhe për t’ia arritur qëllimit. Në dy vitet paraprake ishim afër titullit dhe u desh çdo herë të bëja investime të cilat kanë qenë shumë të mëdha. Trajneri Ilir Daja është patjetër pjesë e këtij projekti dhe lojtarët që i kemi 95 për qind prej tyre do të qëndrojnë dhe do t’i forcojmë dy a tri pozita ku jemi më keq”.

Ai planifikon investime edhe më të mëdha, të papara deri tani në sportin kosovar, ndërtimin e një kompleksi sportiv, të cilin si plan e kishte shpalosur para pandemisë.

“Kompleksi do të fillojë të ndërtohet vitin tjetër besoj.”

Kampionët e viteve të fundit në Kosovë u goditën nga një sindrom i dështimit në vitin e tyre pasues, si pasojë e keqmenaxhimeve dhe mungesa e investimeve të duhura. Shembulli më i freskët dhe më i mirë është Prishtina, e cila këtë sezon luftoi për mbijetesë në vend se të luftonte për ta mbrojtur titullin.

Kabashi thotë të këtë mësuar nga kjo që dikur i kishte ndodhur edhe Trepçës ’89 dhe Feronikelit.

“Është shumë keq për klubet që kanë rënë poshtë, nuk kisha dashur të hyj në menaxhimin e tyre, por për Superligën e Kosovës është humbje e madhe që klubet nuk janë mirë të organizuara. Ne do të mundohemi të ecim sa më shumë përpara dhe të mësojmë nga klubet të cilat e kishin fatin e keq. Ne e kemi një projekt 3-4 vjeçar dhe me këto investime besoj që do të shkojë mirë.”

Lajme të ngjashme