“Shtyllë e mbrojtjes”: Mediet italiane njoftojnë se Rrahmani është shumë pranë vazhdimit të kontratës - NACIONALE

“Shtyllë e mbrojtjes”: Mediet italiane njoftojnë se Rrahmani është shumë pranë vazhdimit të kontratës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Amir Rrahmani shumë shpejt pritet të bëhet me një kontratë të re, pasi ka arritur t’i bindë të gjithë me anë të paraqitjeve të tij.

Lajme të mira vijnë për mbrojtësin 28-vjeç kosovar, Amir Rrahmani, i cili po luan sezonin e tretë me fanellën e Napolit.

Drejtuesit e skuadrës italiane janë duke biseduar me përfaqësuesit e lojtarit për vazhdimin e kontratës. Për gazetën kryesore italiane me seli në Napoli, “Il Mattino”, ai së bashku me Kim është “shtyllë e mbrojtjes”, duke njoftuar se është rikuperuar plotësisht nga lëndimi dhe se tani fokusi është te vazhdimi i kontratës.

Kur jemi te kjo temë është agjencia më e madhe sportive e lajmeve në Itali, “Tuttomercato”, që raporton se tashmë negociatat për kontratën e re që i është propozuar nga klubi janë në fazë të avancuar.

“Negociatat për vazhdimin e kontratës së Rrahmanit janë në fazë të avancuar. Ai për Spallettin është i paprekshëm”, thuhet në artikullin e agjencisë “Tuttomercatoweb”.

Gjatë kësaj jave kapiteni dardan është rikthyer për herë të parë që të stërvitet në grup, pas një lëndimi në kofshë, nga i cili vuajti për më shumë se dy muaj e gjysmë.

Ai u lëndua në gjysmën e muajit tetor në ndeshjen kundër Cremoneses. Që atëherë u detyrua të ndjekë një regjim të veçantë të diktuar nga stafi mjekësor për t’u mjekuar në formë të sigurt, pa i përshpejtuar hapat.

Me Spallettin ai ka gjetur veten mjaft mirë. Ka qenë njëri prej lojtarëve me ngritjen më të madhe. Për më tepër, e ka konsoliduar akoma më shumë edhe pozitën e titullarit.

Sa i përket kontratës, ajo atij i skadon në fund të qershorit të vitit 2024. Skuadra italiane nuk dëshiron që të futet në vitin e fundit të kontratës. Andaj lajmi i rinovimit të kontratës duket çështje kohe.

Napoli do të rikthehet më 4 janar që të luajë për herë të parë pas pauzës së gjatë për shkak të Kupës së Botës. Në “Diego Armando Maradona” do ta presë Interin, por nuk dihet nëse Rrahmani do të vendoset si titullar.

Lajme të ngjashme