Rrahmani rikthehet të bëjë stërvitje të plota pas dy muaj e gjysmë
Më në fund Amir Rrahmani ka arritur që të rikthehet në stërvitje të plota me skuadrën e Napolit, pas lëndimit që kishte pësuar në kofshë në ndeshjen kampionale kundër Cremoneses.
Lëndimi në kofshë ishte më i rëndë seç pritej për mbrojtësin 28-vjeç kosovar të Napolit. Napoli u tregua vërtet i kujdesshëm me të, duke mos nxituar për ta përshpejtuar rikuperimin.
Dje Napoli zhvilloi miqësoren e radhës para se të rinisë faza e dytë e sezonit. Në stadiumin e vet humbi me rezultat të thellë 4:1 kundër Lille të Edon Zhegrovës.
Për Rrahmanin nuk pati hapësirë që të luante. Megjithatë, një lajm i mirë për të erdhi pas më se 24 orëve. Në vazhdën e stërvitjeve të zakonta që po i zhvillon Napoli, për herë të parë si pjesë e tyre pa bërë stërvitje të veçanta ishte edhe kapiteni dardan.
Kjo ishte hera e parë që ai mori pjesë në një seancë stërvitore së bashku me të gjithë grupin e lojtarëve. Një detaj që tregon se tashmë rikuperimi i tij i plotë nga lëndimi në kofshë është shumë pranë kompletimit.

Sipas shtypit lokal, Napoli ka mundësi që nuk do ta inkuadrojë për ndeshjen e parë, atë ndaj Interit që do të zhvillohet më 4 janar, por është e sigurt se do të jetë në gatishmëri të Spallettit për ndeshjet tjera, të cilat do të jenë të shumta, pasi në janar do të fillojë edhe Kupa e Italisë për liderin e Serie A.
Një sezon mbresëlënës
Deri tani Rrahmani ka treguar një sezon tepër të mirë në çdo rrafsh. Ai së bashku me koreano-jugorin Kim, kanë krijuar një kimi për lakmi në repartin e mbrojtjes.
Nivel të lartë të paraqitjeve mbrojtësi kosovar ka treguar në të dy garat kryesore që ekipi i tij merr pjesë, si Serie A, respektivisht Liga e Kampionëve.
Pas rikuperimit, dy do të jenë synime qenësorë të tij dhe vetë klubit: vazhdimi i kontratës (e cila skadon në verën e vitit 2024), si dhe sigurimi i titullit kampion pas më shumë se tre dekadave.

Kështu që, Rrahmanit është fare pranë për ta çimentuar edhe një rekord tjetër sa i përket lojtarëve të kombëtares kosovare që aktivizohen në ekipet përkatëse. Ai mund të jetë i pari që mund të luajë në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, si dhe i pari që mund ta ngrejë lart titullin e Serie A.
Në këtë sezon ai ka bërë tetë paraqitje në Serie A dhe tre të tjera në Ligën e Kampionëve. Ai konsiderohet si njëri prej shtyllave kyçe të mbrojtjes së trajnerit Spalletti.

