Lëndim më i rëndë seç pritej, Rrahmani nuk pritet të rikuperohet për ndeshjen ndaj Interit
Amir Rrahmani prej shumë javësh po vuan nga lëndimi në kofshë. Ai ende po vazhdon të bëjë stërvitje të veçuara. Shtypi italian shkruan se ai nuk pritet të rikthehet në kohë për ndeshjen ndaj Interit.
Fundi i ndeshjes ndaj Cremoneses që u zhvillua më 9 tetor, i kushtoi me një lëndim goxha të rëndë Rrahmanit. Ai u detyrua që ta linte fushën i shoqëruar nga stafi mjekësor.
Që atëherë, mbrojtësi kosovar po punon drejt rikthimit të serishëm në fushën e blertë. Shpresat ishin të mëdha që ai të mund t’ia dilte të ishte gati për ndeshjen e parë që do ta luajë Napoli pas rikthimit nga pauza e Botërorit, respektivisht asaj ndaj Interit, që luhet më 4 janar 2023.
Burimet e “Gazzetta Dello Sport” tregojnë se një projeksion i tillë sot nuk është realist, pasi stafi mjekësor i Napolit që po vëzhgon rikuperimin e tij nuk dëshiron që të ngutet.
“Napoli nuk e ka ndër mend që t’i përshpejtojë hapat për rikuperimin e Rrahmanit. Shumë vështirë do të jetë ta shohim mbrojtësin kosovar në San Siro”, shkroi e përditshmja e madhe sportive italiane.
Sido që të jetë, Amir Rrahmani pritet të jetë në gatishmëri të Luciano Spallettit për fazën më të nxehtë të sezonit, kur do të luhen ndeshjet e eliminimit direkt në Ligën e Kampionëve dhe kur do të hyjë kampionati në fazën e vet më të nxehtë.
Kujtojmë se Napoli në 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve do të luajë kundër Eintracht Frankfurtit, me ç’rast edhe llogaritet si favorit për të kaluar tutje.
Rrahmani vazhdon stërvitjet
Amir Rrahmani po vazhdon që të stërvitet duke ndjekur udhëzimet mjekësore. Në raportet e përditshme që publikon klubi i Napolit, thuhet se Rrahmani po vijon të bëjë “punë të personalizuar”.
I tillë ishte edhe raportimi i sotëm: “Sot, është zhvilluar një punë taktike në seancë stërvitore, që u mbyll me një ndeshje në një fushë të përgjysmuar. Rrahmani zhvilloi punë të personalizuar teknike në fushë.”

Ostigard dhe Juan Jesus kanë arritur që mjaft mirë ta mbulojnë boshllëkun e lënë nga lëndimi i Rrahmanit. Për këtë arsye edhe Spallettit nuk i është ngutur shumë në përshpejtimin e fazës së rikuperimit për kapitenin dardan.
Rrahmani në edicionin e sivjem ka bërë tetë (8) paraqitje në Serie A. Niveli i tij i paraqitjeve është komentuar me thurje lëvdatash nga shtypi italian dhe vetë trajneri Spalletti.

Paraqitje të mira mbrojtësi 28-vjeç ka treguar edhe në Ligën e Kampionëve, aty ku këtë vit debutoi për herë të parë. Në tërësi në kompeticionin më të madh në nivel klubesh bëri tri (3) paraqitje, duke kontribuar në rezultatet shumë të mira që korri ekipi italian, me ç’rast siguroi edhe kualifikimin në mesin e gjashtëmbëdhjetë (16) skuadrave më të mira.

