Trumpi thotë se ShBA-ja do t’ia heqë sanksionet Turqisë, e vlerëson lart Erdoganin - NACIONALE

Trumpi thotë se ShBA-ja do t’ia heqë sanksionet Turqisë, e vlerëson lart Erdoganin

1 orë më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të martën njoftoi se vendi i tij do t’ia heqë Turqisë sanksionet që ia kishte vendosur më 2020 për blerjen e sistemeve ruse të mbrojtjes ajrore dhe sinjalizoi gatishmëri për t’i shitur aleatit të NATO-s aeroplanë luftarakë të tipit F-35.

Në vizitën e parë në Turqi nga një president amerikan në 11 vjet, Trumpi u mirëprit nga homologu Rexhep Erdogan në aeroport me një ceremoni shtetërore gjatë së cilës ushtarë turq në kuaj e përcollën eskortën e Trumpit deri te pallati presidencial, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Duke folur para gazetarëve në pallatin presidencial turk, Trumpi disa herë e lavdëroi Erdoganin, duke thënë se ka “kimi” me të dhe se marrëdhënia me Ankaranë kurrë nuk ka qenë më e mirë.

“Ne do t’i heqim sanksionet” – tha Trumpi para gazetarëve para takimit me Erdoganin gjatë një vizite në Turqi për samitin e NATO-s. “Është koha. Ne nuk dëshirojmë t’i sanksionojmë miqtë” – shtoi ai, duke thënën se sekretari i Shtetit dhe sekretari i Thesarit janë duke punuar në këtë çështje.

Kur u pyet nëse ka ndonjë shqetësim që Ankaraja ende ka sisteme ruse të mbrojtjes ajrore, S-400, ai tha se jo. “Unë nuk kam shqetësime për asgjë që ka të bëjë me Turqinë. Unë do të thosha që marrëdhënia me Turqinë tani për tani është më e mirë ndoshta se që ka qenë ndonjëherë” – tha presidenti amerikan.

Trumpi gjithashtu dha shenjë për mbështetjen e tij të mundshëm që Turqisë t’i lejohet blerja e aeroplanëve luftarakë F-35, edhe pse nuk tregoi se si do të bëhej kjo shitje, duke i marrë parasysh pengesat ligjore dhe ankesat nga Kongresi.

Erdogani tha gjithashtu se shpreson për një rezultat pozitiv rreth dëshirës së Turqisë për të blerë aeroplanë të tillë. “Ne e kemi diskutuar këtë më parë me ShBA-në dhe na janë premtuar pesë aeroplanë. Unë e di se z. Trump gjithmonë i mban premtimet” – deklaroi presidenti turk./Nacionale

Lajme të ngjashme