Shqipëria mbyll vitin me fitore, mposht pastër Armeninë - NACIONALE

Shqipëria mbyll vitin me fitore, mposht pastër Armeninë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shqipëria ka shënuar një fitore të pastër kundër Armenisë me rezultat 2:0. Edhe pse me një numër jo shumë të madh të tifozëve në stadium, “kuqezinjtë” ia dolën që të tregojnë një paraqitje pozitive.

Kjo ishte ndeshja e fundit në program për këtë vit kalendarik për Shqipërinë dhe arriti ta mbyllë në formën më të mirë, duke fituar pastër dhe qartë ndaj Armenisë.

Shqipëria ishte më superiore në fushë në çdo fazë të ndeshjes, duke treguar një dëshirë të madhe që të dëshmonte tërë kapacitetin e vet që ka.

Përzgjedhësi Reja ndeshjen e nisi me disa ndryshime në formacion. Sulmi përbëhej nga dyshja e Superiores, Muçi dhe Skuka.

Pikërisht nga këmbët e futbollistëve vendorë lindi edhe goli i parë që zhbllokoi ndeshjen. Në minutën e 28-të ishte lojtari më i spikatur i Partizanit, Skuka, ai që shkundi rrjetën e kundërshtarëve armenë.

Aksioni nisi shumë mirë nga këmbët e mesfushorit të Interit, Asllani, dhe u finalizua për mrekulli nga sulmuesi i skuadrës shqiptare.

Shqipëria bëri disa zëvendësime edhe në pjesë të dytë, sa për t’u dhënë hapësirën të gjithëve që të tregojnë atë se çfarë janë të aftë të bëjnë në fushë.

Mirëpo, për kënaqësinë e publikut njëri prej momenteve më të bukura erdhi në minutën e 64-të. Ishte Kristjan Asllani ai që më në fund shënoi golin e parë me fanellën e Shqipërisë.

Pas një jave me shumë tension, polemika dhe spekulime që u shënua në Shqipëri, duke u thirrur në një pakënaqësi eventuale mes tij dhe Rejas, ky gol i dha një qetësi ambientit “kuqezi”.

Deri në fund të ndeshjes Shqipëria ia doli që ta administrojë mjaft mirë epërsinë e krijuar me një kapital prej dy golave.

Kështu përfundoi edhe i gjithë takimi, me Shqipërinë që iu rikthye fitore, që i mungonte nga 15 nëntori i vitit të kaluar, kur fitonte 1:0 ndaj Andorrës.

Fundi i epokës me Rejan?

Kjo ka mundur të jetë edhe ndeshja e fundit në bankinën e Shqipërisë për përzgjedhësin Reja. Ai është kritikuar tej mase për mungesë të rezultateve.

Dihet se kontrata e tij me Shqipërinë skadon në fund të vitit. Presidenti Duka akoma nuk ka njoftuar se çfarë hapa do të ndërmarrë në lidhje me këtë çështje.

Nga stafi i përzgjedhësit para fillimit të ndeshjes u tha që shpresojnë se puna do të mund të vazhdojë, sepse vlerësojnë që kanë bërë gjëra të mira gjatë kësaj periudhe, duke ftuar shumë lojtarë.

Edhe Reja ka thënë se tek pasi të përfundojnë miqësoret e fundit (ato që u zhvilluan në këtë muaj), atëherë do të ulet me presidentin Duka për të diskutuar për të ardhmen.

Lajme të ngjashme