“Jo, nuk është e vërtetë”, Armand Duka mohon raportimet për marrëveshjen e afërt me Di Biagio
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka mohuar spekulimet se trajneri italian Luigi di Biagio do ta zëvendësojë Edouard Rejën si përzgjedhës i “Kuq e Zinjve”, gjatë një prononcimi të shkurtër për Gazetën Nacionale.
Ishte mediumi i njohur italian, “Sport Italia” që e vlerësoi si punë të kryer pozitën e re të Di Biagios, i cili sipas tyre do ta drejton Shqipërinë.
Lidhur me këtë, Nacionale ka kontaktuar presidentin e FSHF-së, Armand Duka, i cili i quajti të pavërteta këto spekulime.
“Jo, nuk është e vërtetë”, ishte përgjigja e tij e shkurtër, por shumë e qartë.
"SportItalia" gjatë ditës së sotme raportoi se marrëveshja mes De Biagios dhe FSHF-së është pranë të mbyllet
"Di Biagio pranë stolit të kombëtares së Shqipërisë. Ish trajneri i Italisë U21 do të përballet me skuadrën e Roberto Mancinit më 16 nëntor në Tiranë", shkroi mediumi italian.
Një gjë e tillë u konfirmua edhe nga gazeta më e madhe në Itali, "Gazzetta dello Sport", të cilët shtuan se trajneri refuzoi stolin e Cosenza pasi e pëlqen idenë që ta drejtojë ekipin "kuq e zi".
Esclusiva ‼️
— Sportitalia (@tvdellosport) November 1, 2022
Di Biagio vicino alla panchina della nazionale albanese✍🏻
L’ ex tecnico dell’ U21 affronterebbe la Nazionale maggiore di Roberto Mancini il prossimo 16 novembre a Tirana#sportitalia #albania #nazionale pic.twitter.com/0N6yb5zGUG
"Ish trajneri i Italisë U21 bisedoi me klubin e Cosenza, por ka mundësi të tjera (Kombëtarja e Shqipërisë mbi të gjitha), prandaj ai e refuzoi atë mundësi).
Sidoqoftë, kujtojmë se Duka në tetor kishte thënë se i kanë ofruar Di Biaggios postin e drejtorit sportiv, pasi dëshiron që të jetë një trajner shqiptar në stol.
"Di Biaggios i kemi ofruar dikur postin e drejtorit sportiv në FSHF, ndaj ka dalë emri në skenë, mund të jenë shumë trajnerë shqiptar, si Ilir Daja, Mirel Josa apo Alban Bushi ka shumë trajnerë me eksperiencë, pse të mos jetë një trajner shqiptar?", ishte deklarata e tij.