Reja rreth Brojës: Me një sezon të luajtur mirë s’bëhesh futbollist cilësor
Edy Reja sërish është treguar shumë i matur në lidhje me atë se ku mund të arrijë Armando Broja kur është pyetur në konferencë për shtyp në prag të ndeshjes kundër miqësore ndaj Italisë.
Në “Air Albanian” e stërmbushur nesër do të luhet një miqësore lluksi për Shqipërinë, pasi do të jetë nikoqire e Italisë.
Njëri prej protagonistëve të padiskutueshëm të Shqipërisë është sulmuesi i Chelseat, Armando Broja.
Sidoqoftë, edhe një herë përzgjedhësi Reja u shfaq tejet i rezervuar për të folur në superlativ për të ardhmen e tij se deri në çfarë maje mund të arrijë.
“Ka disa cilësi, por është herët të thuhet se mund të arrijë. Nuk mund të bëhesh futbollist sezon me një sezon të luajtur mirë”, tha ai.
Këtë pyetje atij ia bëri njëri prej gazetarëve italianë që ishin të pranishëm në konferencë për shtyp. Tutje, Reja u mundua ta shpjegojë edhe pse e sheh në këtë këndvështrim përgjigjen në fjalë.
“Ai ka potencialin për t’u bërë i tillë (futbollist cilësor), por ka shumë komponentë dhe nuk mund të bëhesh futbollist me plot kuptimin e fjalës menjëherë”, nënvizoi ai.

Për ta përforcuar këtë tezë përzgjedhësi i kombëtares “kuqezi” nuk ngurrojë ta bëjë edhe një paradigmë me një lojtar të Milanit siç është Tonali.
“E keni parë Tonalin? Në sezonin e parë me Milanin ka pasur vështirësi të mëdha. Për të arritur në atë nivel i mungojnë hapat e duhur. Duhet të arrihet gradualisht, edhe për faktin se kritika në klubet e mëdha është e menjëhershme. Kur e fut në lojë një të ri mund edhe ta djegësh në formë definitive”, përfundoi ai.
Shqipëria i mbetet besnike modulit 3-5-2
Edy Reja nuk ka ndër mend të heq dorë nga moduli 3-5-2. Ai në konferencë për shtyp bëri edhe një batutë interesante, duke përmendur edhe dy kolegë të tij si Conte dhe Mancini.
“Moduli është gjithmonë ky, pasi në planin afatgjatë na ka dhënë më shumë garanci. Unë skemën 3-5-2 e kam aplikuar te Napoli dhe gjithçka ka shkuar shumë mirë. Tani edhe Conte e Mancini përdorin të njëjtën skemë, duke e cilësuar si inovatore, por dikur më kritikonin”, tha ai.

Shqipëria hyn me objektivin për t’u paraqitur sa më mirë nesër dhe të tregohet bindëse kundër Italisë.
“Përtej rezultatit, që nuk është se intereson shumë në sfidën e nesërme, uroj që të bëjmë një paraqitje bindëse dhe shpresoj të kemi në krah edhe episodet”, theksoi ai.
Ndeshja mes Shqipërisë dhe Italisë luhet nesër me fillim në ora 20:45. Të gjitha biletat për këtë ndeshje tashmë janë shitur.

