Broja: Nuk mund ta përshkruaj me fjalë gëzimin për golin e shënuar, është ndjenjë surreale
Armando Broja ka folur për mikrofonin e “BBC Sport” pas mbarimit të ndeshjes kundër Wolvesit, të cilën Chelsea e fitoi me rezultat 3:0, ndërsa edhe ai kontribuuoi me një gol.
Sulmuesi shqiptar më në fund u zhbllokua, duke gjetur për herë të parë golin në kampionat. Ai shënoi në minutën e 90-të sa për ta liruar të gjithë atë presion që e ngarkonte javëve të fundit, meqë ishte në agjërim të golave.
Menjëherë pasi përfundoi sfida në “Stamford Bridge”, ai dha prononcimin e parë. Goli i shënuar në minutën e 90-të vulosi fitoren 3:0, por mori disa sekonda kohë derisa u konfirmua nga VAR.
"Ka gjithnjë pritje deri sa e kontrollojnë një pozitë jashtë loje potenciale. Mbaja gishtërinjtë e kryqëzuar. I falënderoj të gjithë tifozët për përkrahjen”, nënvizoi ai.
Broja nuk gjen fjalët e duhura për ta përshkruar ndjesinë e gjetjes së golit të parë me fanellën e Chelseat në Premierligë: “Nuk mund ta besoj. Ishte duke e pritur golin tim të parë. Ky është një momental surreal. Nuk mund ta përshkruaj me fjalë."

Chelsea ka një konkurrencë të madhe në fazën sulmuese. Për sulmuesin 21-vjeçar kjo nuk përbën problem. Madje, ai e vlerëson që një garë e tillë është e shëndoshë dhe e dobishme, pasi i ndihmon të gjithë që të përmirësohen.
“Të gjithë e dinë që në një njërin prej klubeve më të mëdha në botë (Chelsea) do të ketë konkurrencë. Kjo do të na ndihmojë të gjithëve që të zhvillohemi si lojtarë. Kemi një skuadër të madhe. Të gjithë lojtarët janë të nevojshëm në një moment të caktuar”, potencoi ai.
Broja nuk dëshiron të vetëkënaqet. Ai thekson se tani i gjithë fokusi duhet të koncentrohet në sfidën e radhës, atë në Ligën e Kampionëve kundër Milanit, për t’iu afruar kualifikimit në fazën e 1/8-ave të finales të këtij kompeticioni.
“Tani e gjithë vëmendja shkon për ndeshjen e të martës (kundër Milanit në “San Siro”). Sot ishte një paraqitje e mirë”, theksoi ai.
Ndeshja kundër Wolvesit ishte e gjashta në kampionat për Armando Brojën me fanellën e Chelseat për këtë edicion të ri futbollistik.
Ai vijon të mos jetë zgjedhje e parë për të qenë në formacionin bazë, ashtu sikur nuk ishte me Thomas Tuchel më herët kur kishte timonin e skuadrës.
Kështu, deri tani në Premierligë është aktivizuar në 102 minuta lojë, thuajse sa një ndeshje e plotë. Goli i sotëm mund të ndikojë që ai të ketë më shumë minutazh.

Kujtojmë se para një muaji ai nënshkroi kontratë 6-vjeçare me Chelsean. Marrëveshja e re mes lojtarit dhe klubit është afatgjate dhe e mban sulmuesin e ri deri në vitin 2028 në Stamford Bridge.
Sulmuesi i ri, i cili në shtatori mbushi 21-vjeç, theksonte pas përfundimit të nënshkrimit të kontratës së tij gjashtëvjeçare, tha: “Më kanë humbur fjalët vetëm sa jam duke menduar për këtë. Është klubi që kam ëndërruar të luaj gjatë gjithë jetës sime, klubi që unë mbështes dhe klubi që dua. Unë kam qenë këtu që kur isha i vogët, kështu që është një ndjenjë surreale për mua dhe familjen time."
Ky besim i Chelseat pasi ai në sezonin paraprak regjistroi një sezon fantastik me Southamptonin, ku luajti në formë huazimi. Ai shënoi nëntë herë në 38 paraqitje për skuadrën e Southampton, duke përfshirë një fitore në ligë ndaj Tottenham Hotspurit.
Në lidhje me marrëveshjen për kontratën e re, presidenti i klubit, Todd Boehly, deklaronte: “Ne jemi të kënaqur që Armando është i përkushtuar ndaj Chelseas. Ai është një sulmues i ri dhe emocionues dhe është një pjesë e madhe e planeve tona për të ecur përpara."

