Ronaldo: Kampionati i Arabisë Saudite do të jetë në mesin e pesë ligave më të mira në botë
Ylli portugez i Al Nassr, Cristiano Ronaldo, ka thënë se kampionati i Arabisë Saudite shumë shpejt do të jetë në mesin e top pesë ligave më të mira në botë.
Ronaldo shënoi një gol fantastik dje në minutën e 58-të për t’ia dhuruar skuadrës së tij fitoren 3:2 ndaj Al Shabab, për të mbajtur gjallë shpresat në luftën për titull, pasi gjenden vetëm tre pikë larg liderit Al Ittihad, me dy ndeshje akoma për t’u zhvilluar.
Pas një paraqitje shumë të mirë dje, 38-vjeçari ngriti aq lartë Ligën Pro Saudite, saqë shkoi deri në pikën që tha se ky kampionat shpejt do të jetë në mesin e pesë ligave më të forta të botës, nëse vazhdojnë me këtë zhvillim të hovshëm.

“Liga Pro Saudite në vitin e ardhshëm do të jetë edhe më e mirë. Hap pas hapi mendoj se kjo ligë do të jetë në mesin e pesë më të mirave në botë. Por ka nevojë për kohë, ka nevojë për lojtarë dhe infrastrukturë. Besoj se ky shtet ka një potencia të jashtëzakonshëm, njerëz fantastik dhe liga do të jetë shumë e fortë,” tha Ronaldo dje pas ndeshjes.
Al-Nassr pati një fillim të tmerrshëm të lojës pasi ata e gjetën veten duke humbur 2:0 pas 40 minutash. Megjithatë, goli i Taliscës pak para se të përfundonte pjesa e parë ngriti moralin e skuadrës, gjë që i ndihmoi ata të fillonin pjesën e dytë në mënyrë pozitive. Përpjekjet e tyre u shpaguan, me Abdulrahman Ghareeb që barazoi rezultatin në minutën e 51-të përpara se Ronaldo të shënonte për përmbysjen e madhe.

"Ekipi bëri një ditë fantastike. Një rezultat 2:0 është shumë e vështirë por ne besuam deri në fund dhe shënuam tre gola. Urime për të gjithë ekipin dhe mbështetësit ishin të mahnitshëm sot. Jemi shumë të lumtur," shtoi ai
Ronaldo ndeshjen e radhës e luan kundër Ettifaq në Ligën Pro Saudite në stadiumin Prince Mohamed bin Fahd.

