Rexhbecaj thotë se nuk ka pasur kontakt serioz nga FFK, kjo e fundit përgjigjet: Janë të pavendosur
Transferimi i Elvis Rexhbecajt tek Augsburgu ka rikthyer përsëri në vëmendje temën e aktivizimit të tij me Kombëtaren e Kosovës, derisa Nacionale ka mësuar shumë nga prapaskenat e tentativav
e për ta veshur atë në fanellën 'Dardane'.
Rexhbecaj, mesfushor 24-vjeçar, është paralajmëruar se sot do të nënshkruajë me Augsburgun, ku transferohet nga Wolfsburg për një shumë prej 1.75 milionë eurove.
Të martën, babai i Rexhbecajt, Rexha e konfirmoi për Nacionalen se biri i tij do të nënshkruante sot me klubin gjerman dhe se ai do të fluturonte drejt Gjermanisë për të qenë prezent në prezantim.
Babai i Rexhbecajt zbulon kontaktet me FFK-në
Nacionale ka pyetur Rexhën nëse ka pasur kontakte me Federatën e Futbollit të Kosovës, për të diskutuar rreth ardhjes potenciale të tij te Kombëtarja e Kosovës.
"I kena pasë do kontakte po nuk ka kurrgjo hiç niherë" është shprehur fillimisht ai.

"Po kontaktojnë kaniherë amo nuk e kanë bash seriozisht. Nuk o puna e kërkesave tona, po thjesht nuk ka ardhë ai minuti... se Elvisi posedon pasaportë të Gjermanisë..."
A do të thotë kjo se futbollisti po e pret ftesën e Kombëtares së Gjermanisë? Epo, jo edhe po, sipas Rexhës.
"Jo, jo, nuk e kom aty. Nuk e mendoj Gjermaninë. Edhe pse nuk i dihet futbollit. Kurrë nuk munët me thonë jo askush, se bon vakia ni sezon të mirë në Augsburg apo Wolfsburg, edhe e thirrin. Amo nuk e kom mendjen aty fare, as nuk e kam mendu kurrë që Elvisi luan për Gjermaninë.
A do ta pranonit nëse do të merrnit një ofertë serioze nga Federata e Futbollit të Kosovës? Ishte pyetja tjetër që iu parashtrua Rexhës.
"Po, normal që e kishim pranu, me kon diçka serioze".
Çka thonë nga Federata e Futbollit të Kosovës?
Federata e Futbollit të Kosovës thotë se përmes ndërmjetësuesve ka pasur kontakte të vazhdueshme me babain e futbollistit, por që rreth këtij të fundit ekziston një bindje se nuk është zëri decisiv kur bëhet fjalë për të ardhmen ndërkombëtare të të birit.
FFK përmes koordinatorit të saj në diasporë, Fekmi Kongjeli, ka angazhuar Ismet Muslijën - i cili është edhe babai i futbollistit të Kombëtares së Kosovës, Florentit - për të krijuar një urë lidhëse e bashkëpunues me futbollistin.
Nacionale ka kontaktuar me Ismetin, i cili ka potencuar se, përkundër kontakteve, bisedimet kanë stagnuar për shkak të disponimit të ulët të palës tjetër për të arritur një marrëveshje, që vjen si rrjedhojë edhe e peshës së dëshirës së vet futbollistit në vendimmarrje.

"Unë kom kontaktu me të. Nja dy herë a tri kom folë me babën e Elvisit", thotë Ismeti fillimisht për Redaksinë tonë.
"Disponimi i bisedës ka qenë shumë i pavendosur. Sipas mendimit tim, ai djali punon n'krye veti. Ky babai i Elvisit) i merr pak përsipër senet, po qysh e pashë, djali vendos më shumë për veti se ky.
"I thojke disa fjalë rreth dokumentacionit, rreth pasaportës... jo e ka gjermane (pasaportën), jo me prishë s'bon e jo..."
Tutje Ismeti potencon se situatë të ngjashme kishte edhe biri i tij, Florenti, i cili posedonte pasaportë gjermane dhe të Kosovës, por që kjo nuk i ka penguar fare të mbrojë ngjyrat e fanellës "Dardane".
"I kom thonë që edhe Florenti e ka pasaportën e Gjermanisë, edhe të Kosovës por kjo nuk do të thotë që ka nevojë me prishë të Gjermanisë. Po, edhe nëse vjen puna deri aty, i kam thënë të mos e japë atë gjerman. Mirëpo, siç duket, djali (Elvis Rexhbecaj) nuk është i vendosur.
Ndeshja Paderborn-Hannover mund të zhbllokojë situatën
Në rrëfimin e tij për Nacionalen, Ismeti potencoi se ende nuk ka pasur mundësi të kontaktojë direkt me futbollistin dhe se një takim i tij i mundshëm personalisht me të, do të qartësonte shumëçka.
Dhe, për ta bërë këtë, ai po e sheh si mundësi ndeshjen mes Hannoverit dhe Paderbornit që zhvillohet në kuadër të Bundesliga 2, më 6 gusht, ku - me gjasë - do të hapet një rrugë kontakti.
"Kisha dashtë me folë me djalin (Elvisin). Ndoshta më shumë kisha marrë fjalë prej tij. Më 6 gusht shkoj me këqyrë Paderbornin me Hannoverin, nëse rastësisht muj me kontaktu me të diqysh... do të kontaktoj.
"Gjasa ende ka që ai të vijë të
luajë për Kosovën, por duhet të takohem personalisht edhe me Elvisin për të mësuar më shumë".
