Bild: Elvis Rexhbecaj afër kalimit te Augsburg - NACIONALE

Bild: Elvis Rexhbecaj afër kalimit te Augsburg

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Mesfushori me prejardhje nga Kosova, Elvis Rexhbecaj është shumë pranë kalimit te Augsburg.

24-vjecari shihet si zëvendësuesi adekuat i mesfushorit Niklas Dorsch që ka dështuar të tregojë kualitetin në edicionin e kaluar.

Dorsch në fakt do të mungojë për muajt e ardhshëm pasi është lënduar në miqësoren e fundit ndaj Stades Rennes dhe do të jetë jashtë fushës për tre muaj.

Sipas mediumit më të madh gjerman "Bild", Augsburg do ta sjellë ën skuadër Rexhbecaj i cili ka kontratë deri në vitin 2023 me Wolfsburg.

Raporti gjithashtu shton se Augsburg do të paguajë 1.75 milionë euro për mesfushorin që përfaqëson Gjermaninë, derisa ky i fundit do të nënshkruajë për katër vitet e radhës.

Rexhbecaj – dëshira e madhe e Kosovës, por ende s’ka zhvillime të reja

Nëse flasim për përfaqësimin e Kosovës, Rexhbecaj edhe pse është kontaktuar disa herë radhazi nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), vazhdon të hezitojë.

Mesfushori me prejardhje nga Kosova vazhdon ta ‘ëndërrojë’ ftesën e Gjermanisë për Olimpiadë, prandaj nuk ka shprehur gatishmëri që ta veshë fanellën ‘dardane’.

Në fakt, që të jemi më konkret, FFK kishte planifikuar një takim me Rexhbecaj në dhjetorin e vitit 2021, por që nuk u realizua asnjëherë për arsye që nuk dihen.

Kujtojmë, se 24-vjeçari në të kaluarën kishte deklaruar se një ftesë e Gjermanisë për të “do të ishte ëndërr e realizuar”.

“Do të ishte ëndërr të luaja për Gjermaninë në Olimpiadë”, kishte deklaruar ai më 18 shkurt për "Kicker".

Rexhbecaj ndër lojtarët më të vlerësuar te Bochum gjatë sezonit të kaluar

Mesfushori edicionin që lamë pas ishte huazuar te klubi gjerman, Bochum ku ishte ndër lojtarët me më së shumti paraqitje.

Ai zhvilloi 36 paraqitje në kampionatin gjerman duke zhvilluar 2 mijë e 975 minuta, derisa kontribuoi me katër asistime.

Kujtojmë, se lojtari ka pranuar se çdo vit vjen në Kosovë për të qenë pranë familjareve, por nuk ka folur lidhur me përfaqësimin e fanellës ‘dardane’.

Lajme të ngjashme