Prishtina përforcon repartin sulmues, nënshkruan me Hasan Hysenin
Sulmuesi këmbëshpejtë mitrovicas, Hasan Hyseni, ka nënshkruar kontratë dy-vjeçare me Prishtinën.
Prishtina në edicionin e ri të Superligës së Kosovës do të drejtohet nga trajneri Ismet Munishi.
Së fundi, klubi po kalon në fazën e riorganizimit të brendshëm. Një reformatim i tillë ka ndikuar që të ketë edhe shumë risi në organikën e skuadrës, me lojtarë të shumtë që janë larguar dhe disa të tjerë që janë sjellur si prurje të reja.
Hasan Hyseni njihet për shpejtësinë e tij. Ai ka luajtur në disa skuadra të ndryshme në Ligën e Parë dhe në Superligë, siç janë: Trepça, A&N, Trepça '89, Drenica, Gjilani dhe Malisheva.
Duhet thënë që sulmuesi 25-vjeç në sezonin e kaluar sa ishte pjesë e Malishevës, u dallua me paraqitje solide.
Prishtina i uron mirëseardhje
Me anë të një shkrimi që është publikuar në profilin e zyrtar të klubit në Facebook, Prishtina i ka uruar mirëseardhje Hasan Hysenit.
"Futbollisti këmbëshpejtë, Hasan Hyseni, është lojtari i radhës që ka nënshkruar me FC Prishtinën.
"Mesfushori-sulmues në edicionin e fundit ishte pjesë e Malishevës, me të cilën ka luajtur me shumë sukses duke i realizuar 7 gola në 32 paraqitje.
"25-vjeçari është produkt i Trepçës '89, derisa në karrierën e tij ka luajtur edhe me Drenicën dhe skuadrën prizrenase A&N", shkruhet ndër të tjera në njoftim.
Hasan Hyseni tregon çka e bindi t'i bashkohet Prishtinës
Për faqen zyrtare të Prishtinës, mitrovicasi e ka dhënë një prononcim për faqen zyrtare të klubit ku shprehet i lumtur që është bërë pjesë e Prishtinës.
"Projekti që ka bërë klubi dhe trajneri Ismet Munishi më kanë shtyrë që të bëhem pjesë e Prishtinës. Sigurisht se është ndjenjë shumë e mirë të jesh pjesë e klubit më të madh kosovar.
"Synimet personale janë që të paraqitem sa më mirë me ekipin e Prishtinës, në mënyrë që t'i arrijmë objektivat e klubit.
"Tifozëve të Prishtinës mund t'u them se do ta jap maksimumin në arritjen e objektivave dhe që ta sjellim titullin në kryeqytet. 'Plisat' meritojnë trofe. Do ta bëjmë krenar të gjithë kryeqytetin", u shpreh ai.

