Kuvendi Zgjedhor i FC Prishtinës shtyhet për një muaj, zgjidhet një bord i përkohshëm
Pas disa orë mbledhje, ka përfunduar Kuvendi Zgjedhor i FC Prishtinës, që përfundoi me vetëm zgjedhjen e një bordi teknik të përkohshëm.
Prishtina që disa muaj ka probleme mes aksionarëve, ndërsa ditën e martë është pritur që të vendosej përfundimisht mbi fatin e klubit.
Presidenti Remzi Ejupi gjatë ditës së hënë për Nacionalen konfirmoi se nuk do të vazhdojë të jetë më president i klubit, kurse mund të vijnë disa aksionarë të rinj.
Por, pavarësisht mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor, situata në klubin “bardhëkaltër” do të vazhdojë të jetë e paqartë për se paku edhe një muaj.
Gazeta Nacionale me burime pranë klubit merr vesh që e tëra që ka ndodhur në Kuvendin Zgjedhor të sotëm, ka qenë krijimi i një bordi teknik të përkohshëm, derisa problemet kryesore nuk janë zgjedhur.
“Vetëm është krijuar një bord i përkohshëm me anëtarë si Rrahman Haradini, Remzi Ejupi, Sinan Vllasaliu, Ismet Begolli dhe Hakif Gashi”, deklaroi për Nacionalen një ndër të pranishmit në kushte anonimiteti.
Tutje, personi në fjalë thotë se gjithçka do të vendoset përfundimisht pas një muaji.
“Ky është vetëm bord i përkohshëm, pas një muaji do të mbahet sërish Kuvendi Zgjedhor”.
Prishtina në aspektin sportiv është duke u përgatitur për edicionin e ri
Për dallim nga “problemet” në anën gjenerale, klubi bardhëkaltër është duke u përgatitur siç duhet në aspektin sportiv.
Lojtarët e Prishtinës nën urdhrat e Ismet Munishit që dy ditë janë zhvendosur në Mavrovë të Maqedonisë së Veriut, ku do të qëndrojnë për dy javët e ardhshme.
Atje, Prishtina do të zhvillojë tre miqësore para se të rikthehet në Kosovë. Deri me tani, nën urdhrat e teknikut prishtinas kryeqytetasit kanë zhvilluar vetëm një ndeshje miqësore, atë ndaj Trepçës ’89 që mbaroi me rezultat 1:1.
