Presidenti i Napolit: I thashë Koulibalyt që nuk mund të kalonte te Barcelona, sepse s'ka para - NACIONALE

Presidenti i Napolit: I thashë Koulibalyt që nuk mund të kalonte te Barcelona, sepse s'ka para

1 vit më parë

nga NACIONALE

Aurelio De Laurentis, si president i Napolit, është shquar gjithnjë për deklaratat e tij kontraverse. Ai për herë të parë ka folur troç rreth largimit të Kalidou Koulibalyt.

Një mori kontestimesh kanë pasuar në qytetin e Napolit, pasi klubi vendosi ta pranojë ofertën e Chelseat për ta shitur Kalidou Koulibalyn.

Drejtori i Napolit, Giuntoli, u arsyetua se nuk kanë pasur zgjidhje tjetër, meqë lojtari këmbëngulte të largohej dhe nuk kishte më dëshirë ta vazhdonte bashkëpunimin me Napolin.

Për ta dhënë fjalën e fundit, doli Aurelio De Laurentis, i cili para medieve foli gjërë e gjatë për Napolin e ri dhe largimin e Koulibalyt.

"Jo te Barcelona - s'ka para"

Aurelio De Laurentis ka zbuluar një pjesë të bisedës që ka pasur me mbrojtësin senegalez, para se i njëjti të largohej nga klubi italian.

"Unë e lashë që të largohej (Koulibalyn), sepse më tha se kishte pak vite karrierë para vetes. Iu përgjigja se nuk mund të shkonte te Barcelona, sepse s'ka para, ngase është në një fazë jo-stabiliteti"
, komentoi De Laurentis.

Në të kaluarën ishte përfolur edhe një interesim i madh nga Barcelona për Koulibalyn dhe për këtë arsye presidenti i Napolit ia ka sqaruar atij që në fillim situatën e klubit katalonas.

Chelsea nuk mund të refuzohej

Në vazhdim presidenti i Napolit ka shpjeguar si ka ardhur deri te oferta e Napolit dhe si e kanë vlerësuar atë, marrë parasysh rrethanat që u krijuan.

"Pastaj, doli në horizont Chelsea, duke shprehur interesimin e vet. Ofertën e tyre nuk mund ta refuzonim. Por, nëse një lojtar dëshiron të shkojë gjetiu për ta përjetuar një përvojë tjetër, konkretisht në kampionatin më të mirë të botës siç është Premierliga, nuk mund t'i thuash jo"
, theksoi ai.

Oferta e parë që bëri Chelsea ishte në vlerë prej 35 milionë eurove, e cila fillimisht u pa si modeste. Mirëpo, duke e konsideruar edhe vullnetin e lojtarit për t'u larguar, si dhe rrethanat tjera - Napoli pranoi ofertën e dytë, e cila ishte 38 milionë euro dhe 2 milionë euro tjera bonuse, për një total prej 40 milionë eurove.

Oferta që Napoli ia ka propozuar Koulibalyt për ta rinovuar kontratën

Për t'u sqaruar me opinionin lokal dhe tifozët e Napolit, Aurelio De Laurentis ka folur qartësisht, me shifra të sakta, se çfarë propozimi ia ka dhënë mbrojtësit senegalez për ta rinovuar kontratën.

"Me Koulibalyn kam këmbëngulur për thuajse një muaj e gjysmë, duke i ofruar 6 milionë euro kontratë për pesë vjet, që është ekuilavent i 60 e pak milionë eurove bruto", përfundoi ai.

Një gjë të tillë më herët e kanë bërë publike edhe drejtuesit tjerë të Napolit. Gjithsesi, Koulibaly në fund e shënoi ëndrrën e tij, duke bërë një transferim të rëndësishëm siç është ai te Chelsea, klub i cili gjithmonë lufton për të fituar tituj.

Ndryshe nga Napoli, që, edhe pse shpesh i është afruar titullit në Serie A, në fund për çështje nuancash dhe naiviteti nuk ia dilte të shpallej kampion.

Lajme të ngjashme