Chelsea përforcon mbrojtjen, zyrtarizon afrimin e Koulibaly
Në agimin e sotëm të hershëm, Kalidou Koulibaly u zyrtarizua si lojtari më i ri i Chelseat.
Shumë skuadra e kërkuan, në fund e zgjodhi Chelsean. Kalidou Koulibaly do të jetë një vlerë e shtuar për mbrojtjen e skuadrës londineze.
Pas largimit të Rudiger, Tuchelit i duhej medoemos një zëvendësues dinjitoz. Koulibaly mund të konsiderohet i tillë, nëse kemi parasysh rendimentin që ka treguar për tetë vite në Serie A.
Detajet e marrëveshjes
Meqë Koulibaly po shkonte drejt përfundimit të kontratës në verën e vitit të ardhshëm, Napoli nuk pati shumë rrugëdalje.
Introducing our second signing of the summer! 🔵#KoulibalyIsChelsea
— Chelsea FC (@ChelseaFC) July 16, 2022
Aurelio De Laurentis u detyrua që ta shesë atë, pasi mbrojtësi senegalez e vlerësoi si të duhur të provuarit një aventurë të re.
Oferta e parë që bëri Chelsea ishte në vlerë prej 35 milionë eurove, e cila fillimisht u pa si modeste. Mirëpo, duke e konsideruar edhe vullnetin e lojtarit për t'u larguar, si dhe rrethanat tjera - Napoli pranoi ofertën e dytë, e cila ishte 38 milionë euro dhe 2 milionë euro tjera bonuse, për një total prej 40 milionë eurove.
Lojtari do të përfitojë një pagë të majme, thuajse dyfishin e asaj çfarë i kishte propozuar Napoli për ta rinovuar kontratën. Chelsea i ka ofruar atij pesë vite kontratë, me një pagë prej 10 milionë euro, si dhe bonuse tjera, të cilat varen nga paraqitjet dhe sukseset që do t'i ketë me fanellën e kaltër.
Refuzimi i Juventusit
Sado që agjenti i lojtarit, Fatih Ramadani, gjatë javës së kaluar ishte takuar me drejtuesit e Juventusit për të diskutuar rreth të ardhmes së Koulibaly, ky i fundit i qëndroi besnik mesazhit të tifozëve napoletanë: "mos shko në Juventus!"
Për momentin ndoshta "armiqësia" më konkrete mes tifozërive dhe klubeve në Serie A është ajo mes Napolit dhe Juventus. Koulibaly, ashtu siç e potencoi në letrën lamtumirëse, është në mënyrë afektive i lidhur me banorët dhe qytetin e Napolit.
Kësisoj, ai vendosi që të mos e pranojë asnjë interesim të torinezëve. Ndërkohë, Napoli përmes drejtorit të tij, Giuntoli, kishte bërë publike ofertën që ia kishin paraqitur Koulibalyt për të rinovuar kontratën. Bëhej fjalë për 6 milionë euro pagë vjetore dhe një mundësi për të qenë njëri prej drejtuesve të klubit në të ardhmen.
Pavarësisht respektit enorm që ekziston anasjelltas mes mbrojtësit 31-vjeç dhe Napolit, ata në fund zgjodhën që t'i ndajnë rrugët.
Përmirësimi i hovshëm i Koulibalyt
Kur u transferua te Napoli në vitin 2014 nga trajneri Benitez, i cili e kishte vëzhguar atë teksa luante me fanellën e Genk - nuk bëri shumë jehonë në opinionin publik.
Mirëpo, në mënyrë eksponenciale ai rriti përformancën e tij si qendërmbrojtës, falë fizikut, korpulencës dhe shpejtësisë që demonstroi.

Kësisoj, ai gjithnjë e më shumë u bë pikë referimi për çdo trajner të Napolit, nga Benitez, Sarri, Ancelotti, Gattuso dhe së voni edhe vetë Spalletti.
Përgjithësisht, me Napolin bëri 317 paraqitje, duke shënuar edhe 14 gola, të cilat përkuan të jenë shpeshherë edhe vendimtarë për rezultatet që në fund korri ekipi italian.
Vlerën e tij e rritën edhe paraqitjet brilante me fanellën e Senegalit, ku vlen të theksohet fakti që ishte ndër më meritorët për suksesin e kombëtares së tij në Kupën e Afrikës gjatë dimrit të këtij viti.


