57 kongresistë demokratë e shtyjnë Bidenin që t’i pezullojë ndihma të caktuara Izraelit - NACIONALE

57 kongresistë demokratë e shtyjnë Bidenin që t’i pezullojë ndihma të caktuara Izraelit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, u ballafaqua me presion të përtërirë të mërkurën nga dhjetëra kongresistë demokratë që të ndikojë tek Izraeli për të mos nisur pushtim të plotë të qytetit Rafah, ku gati gjysma e popullsisë së Gazës është strehuar.

Pesëdhjetë e shtatë prej 212 demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve nënshkruan një letër me të cilën i bëhet thirrje Shtëpisë së Bardhë që të ndërmarrë çdo masë të mundshme për ta shkurajuar qeverinë e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, nga një sulm i plotë ndaj qytetit që ndodhet afër kufirit me Egjiptin, raporton agjencia “Reuters”.

“Ne ju nxisim që t’i shfrytëzoni ligjet dhe politikat ekzistuese që menjëherë të mbani [pezull] ndihma të caktuara për ofensivë ushtarake ndaj qeverisë izraelite, përfshirë ndihmat që burojnë nga legjislacioni tashmë i nënshkruar në ligj, me qëllim që të parandalohet një sulm i plotë ndaj Rafahut” – thuhet në letrën e së mërkurës.

Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për ta komentuar letrën, e cila u udhëhoq nga kongresistet Pramila Jayapal dhe Madeleine Dean.

Përkrahja e Bidenit për Izraelin në luftën e këtij shteti kundër Hamasit ka dalë si përgjegjësi domethënëse politike për presidentin, sidomos në mesin e demokratëve të rinj. Kjo mbështetje ka nxitur një valë të votave protestuese në zgjedhjet brenda Partisë Demokratike dhe gjithashtu një valë të protestave pro-palestineze në universitete amerikane.

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, tha të mërkurën se ai ende nuk kishte parë një plan për ofensivën e premtuar të Izraelit në Rafah që do t’i mbronte civilët, duke e përsëritur qëndrimin se Uashingtoni nuk mund të përkrahë një sulm të tillë.

Blinkeni dhe Netanyahu qëndruan në takim për dy orë e gjysmë të mërkurën në Jerusalem. Pas këtij takimi, Izraeli përsëri tha se operacioni në Rafah do të zhvillohet pavarësisht nga pozicioni i ShBA-së dhe nga një paralajmërim i OKB-së se ky sulm do të çonte në “tragjedi”.

Lajme të ngjashme