Koulibaly: Gjithmonë kam ëndërruar të luaj në Premierligë, Chelsea është skuadër e madhe - NACIONALE

Koulibaly: Gjithmonë kam ëndërruar të luaj në Premierligë, Chelsea është skuadër e madhe

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kalidou Koulibaly gjatë mëngjesit të hershëm të sotëm është zyrtarizuar si lojtari më i ri Chelseat.

Napoli pranoi ofertën e dytë të klubit londinez, e cila ishte 38 milionë euro dhe 2 milionë euro tjera bonuse, për një total prej 40 milionë eurove.

Gjiganti senegalez i mbrojtjes do t'i bashkohet grupit të lojtarëve të udhëhequr nga Tuchel, të cilët po qëndrojnë në SHBA në fazën përgatitore para se të nisë kampionati.

Pasi Chelsea e kumtoi publikisht blerjen e kartonit të tij, kanë ardhur edhe fjalët e para si lojtar skuadrës angleze.

Ëndërr e realizuar

Kalidou Koulibaly në intervistën e tij të parë me fanellën e kaltër tregoi për ndjesitë që po i përjeton në prag të fillimit të kësaj aventure.

"Jam shumë i lumtur që gjendem këtu. Chelsea është një skuadër e madhe dhe ëndrra ime gjithmonë ka qenë të luaj në Premierligë. Ky klub më dëshironte që prej vitit 2016, por negociatat nuk shkuan drejt rrugës së duhur.

"Tani, me t'u kontaktuar, menjëherë kam pranuar ofertën, sepse dëgjova që Chelsea njëmend po më kërkonte"
, nënvizoi ai.

Koulibaly hodhi poshtë interesimin e Juventusit dhe ishte në pritje të një skuadreje tjetër. Me t'u paraqitur Chelsea me ofertën e saj, nuk ngurroi ta pranojë.

Mendy dhe Jorginho lehtësues

Në vijim të prononcimit të tij, Koulibaly ka treguar që Mendy dhe Jorginho ia kanë bërë më të lehtë të vinte deri te vendimi për ta pranuar ofertën e Chelseat, pasi paraprakisht është këshilluar me ta.

"Kam biseduar me Mendy dhe Jorginho, të cilët kanë bërë që vendimi im të merrej më lehtë.

"Dua t'i falënderoj tifozët. Kam parë një mori tifozësh në Londër dhe ishin të lumtur për ardhjen time. Shpresoj që sezoni i ardhshëm të mund të jetë i mirë, në mënyrë që t'u dhurojmë atyre momente të mira", përfundoi Koulibaly.

Lajme të ngjashme