Presidenti i Milanit: Synojmë kalimin e grupeve në Ligën e Kampionëve, në ditët në vijim do të ketë disa të reja - NACIONALE

Presidenti i Milanit: Synojmë kalimin e grupeve në Ligën e Kampionëve, në ditët në vijim do të ketë disa të reja

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Paolo Scaroni, presidenti i Milanit, është deklaruar rreth sezonit të ri që e pret skuadrën, duke treguar edhe synimet që kanë.

Milani u kritikua nga opinionistët e futbollit se u vonua shumë në hapat që bëri pas triumfit në kampionatin italian. Ndryshimi i pronësisë së klubit, vonesa enorme deri kur erdhi rinovimi i kontratave të drejtuesve Maldini dhe Massara - e cungoi jo pak organizimin për sezonin e ri.

Ndonëse kritikat nuk mungojnë edhe për ngërçet e vazhdueshme rreth negociatave me disa lojtarë, si dhe me disa të tjerë që i kanë ikur nga duart - presidenti i Milanit premton se situata do të evoluojë gjatë ditëve në vijim.

Objektivat në sezonin e ri

Presidenti Scaroni ka shpjeguar qartazi se cilat janë objektivat e skuadrës në sezonin e ri.

"Suksesi i vitit të shkuar ishte edhe fryt i ndërtimit të projektit me shumë durim para katër vitesh. Në vitin 2018 klubi ishte në pikën më të dobët nga çdo aspekt.

"Ka pasur disa përmirësime të dukshme drejt profesionalizmit që janë vënë re gjatë këtij harku kohor. Jemi optimistë.



"Njëri nga objektivat është që ta kalojmë fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve. Jemi besimplotë dhe kemi të gjitha tiparet për ta zhvilluar një sezon të mirë"
, nënvizoi ai.

Besim i madh te Maldini dhe Massara

Scaroni mëtutje nuk ngurroi t'ua demonstrojë edhe një herë tërë besimin e plotë dyshes së drejtuesve të Milanit, Maldini dhe Massara.



"Pres që Maldini dhe Massara t'i çojnë përpara projektet dhe strategjitë e tyre sa i përket tregut të lojtarëve. Jam i sigurt që do të vijnë disa gjëra të rëndësishme ditëve në vijim.



"Të premtën do t'i kemi të gjithë lojtarët në gatishmëri dhe do ta bëjmë nisjen e furishme për sezonin e ri"
, shtoi ai.

Komenti për lojtarët e transferuar

Scaroni në vazhdim të intervistës së tij për Milan TV zgjodhi fjalë të mira edhe për prurjet e reja që kanë përforcuar organikën e skuadrës.

"Ka një brum të mirë lojtarësh nga ata që kanë ardhur. Do të integrohen mirë. Të gjithë e ndihmojnë njëri-tjetrin dhe ky është çelësi i suksesit të vitit të kaluar. Shpresojmë që i njëjti të jetë i tillë edhe për sezonin që po troket"
, përfundoi Scaroni.

Milan do ta zhvillojë ndeshjen hapëse të edicionit të ri në Serie A, ku do të jetë nikoqir i Udineses në "San Siro" në mbrëmjen e 13 gushtit.

Deri më tani, Milan ka siguruar në huazim Adli dhe Pobega, me parametra zero ka Origin, kurse për Messias dhe Florenzin ka ushtruar të drejtën e blerjes së kartonëve të tyre, pasi ishin në formë huazimi gjatë sezonit paraprak.

Lajme të ngjashme