Pioli: Kemi mbizotëruar në pjesën më të madhe të lojës, këta lojtarë vazhdojnë të më magjepsin
Stefano Pioli është shfaqur shumë i lumtur pas fitores së arritur në derbin e Milanos kundër Inter, me rezultat 3:2.
Për Milanin fitorja e sotme kundër Interit nuk ishte dosido, pasi edhe një herë etabloi të gjithë kompaktësinë dhe organizimin, të cilat e ngërthejnë dhe falë të cilave arriti ta fitonte titullin kampion në sezonin paraprak.
Stefano Pioli është ndër arkitektet kryesorë të këtij triumfi, pasi që pas ardhjes së tij në stolin e Milanit, skuadra ka ndryshur si fizionomi të lojës, ashtu edhe të marrë rezultate të mira në fushën e blertë.
Tani Milanit i mbetet vetëm që të afirmohet në Ligën e Kampionëve, ngase në sezonin e kaluar kishte hasur në vështirësi të thellë, pa arritur që ta kalonte me sukses grupin.
Deklarata e Piolit pas ndeshjes
Stefano Pioli pati premtuar që skuadra e tij do të dukej krejtësisht ndryshe në këtë derbi për dallim nga sfida që u zhvillua në mesjavë kundër Sassuolos, ku barazoi me rezultat 0:0. Në fund, ai mbajti premtimin, ngaqë skuadra e tillë u dëshmua në fushë.
“Ishte një ndeshje e rëndësishme. Një ndeshje direkte me një rivalitet akoma më të madh. Tani kundërshtarët dëshirojnë të demonstrojnë akoma edhe më shumë që janë superiorë karshi nesh. Ushtroj lojtarë që vazhdojnë të më magjepsin për vullnetin që tregojnë në fushë dhe dëshirën për t’u përmirësuar që e shfaqin”, tha fillimisht ai.
Për Piolin në pjesën dërmuese të ndeshjes kanë qenë ata që kanë luajtur më mirë, por ka përmendur edhe “rehatinë e tepruar” që u vu re në 20 minutat e fundit, e që ka mundur t’u kushtojë me barazim.
“Më ka pëlqyer shumë skuadra në 70 minutat e para. Pastaj jemi relaksuar disi, por është e pamundshme të mos lëshosh ngapak terren", shtoi ai.
Tani sytë te Liga e Kampionëve
Milani ka për synim që të bëjë paraqitje sa më të mira në Ligën e Kampionëve dhe mos ta përsërisë një përvojë të hidhur çfarë u vu re gjatë sezonit të kaluar, kur nuk mundi që të kualifikohej tutje, duke u mjaftuar me vetëm gjashtë ndeshjet në fazën e grupeve.
“Jam i sigurt që jemi rritur shumë si ekip. Kemi kuptuar që në Ligën e Kampionëve kërkohen paraqitje të shkallës së lartë. Sot, ishim të koncentruar te derbi, por unë së bashku me stafin që prej kohësh e kemi vëzhguar Salzburgun, të cilën e vlerësojmë si shumë të rrezikshme”, theksoi ai.
Kujtojmë se Milan do të luajë në grupin E të kompeticionit më të madh evropian, aty ku janë edhe Chelsea, Dinamo Zagreb dhe Salzburg.


