Me Leaon dëfryes, Milan fiton derbin spektakolar ndaj Interit
Milan ka fituar derbin e zjarrtë të Milanos, duke mposhtur Interin me rezultat 3:2, në një sfidë që prodhoi një mori golash dhe spektakël në fushë.
Pas hapit fals që bëri Milan në “Mapei” kundër Sassuolos, u rikthye në formën më të mirë të mundshme, duke ngadhënjyer në derbin e Madonninas, sa për të konfirmuar se jo rastësisht janë kampioni në fuqi i Italisë.
Interi edhe sot dëshmoi të meta të mëdha në mbrojtje dhe jo vetëm. Faza parapërgatitore dha shenjat e para se mbrojtja nuk ishte në nivelin e detyrës dhe e tillë po tregohet edhe tani, në fazën e parë të kampionatit.
Me këtë fitore Milani shkon në kuotën e 11 pikëve, duke rrëmbyer përkohësisht vendin e parë në renditjen tabelare. Ndërkaq Inter mbetet me 9 pikë të tubuara, duke zënë vendin e pestë në tabelë tani për tani.

Raporti i ndeshjes Milan 3:2 Inter
Ndeshja nisi me skuadrat që nisën t’ia studionon lëvizjet njëra-tjetrës pa dhënë shumë hapësira. Mirëpo kështu ishte vetëm faza fillestare e lojës, ngase më vonë intensiteti filloi të shtohej.
Për ta bërë lojën e hapur dhe të bukur, u deshtë të vinte goli i parë. Atë e shënoi Brozovic, futbollisti nga i cili më së paku pritej, por që shtangu portën e Maignan në minutën e 21-të të ndeshjes.
Mirëpo nga ky moment ndryshoi edhe komplet rrjedha e lojës në pjesë të parë, me Milanin që ishte më kërkues dhe i qartë në aksionet e veta.
Entuziazmi i mysafirëve zgjati vetëm për shtatë minuta, pasi i përhershmi, Leao, i ndihmuar pak edhe nga një devijim, shënoi golin e barazimit për 1:1.
Me epilogun e barabartë skuadrat shkuan në pushimin mes dy pjesëve.
Pjesa e dytë ishte plot golat, spektakël, aksione vertikale dhe shumë dinamike. Milan e nisi lojën me një intensitet shumë të lartë, duke qenë skuadra që e kishte në kontroll lojën.
Dukshëm më në vështirësi ishte Inter, që nuk arriti assesi që ta vënte në praktikë diktatin e vet të lojës. Sido që të jetë, sulmuesi veteran francez, Olivier Giroud, ishte ai që përmbysi rezultatin, falë një goditjeje shumë të saktë me të majtën e tij, duke e shfrytëzuar siç ishte më së miri topin e shërbyer nga Leao.
Milan, edhe pse ishte në epërsi, vazhdoi që të sulmonte. Inter dukej i humbur në çerekun e parë të pjesëlojës së dytë. Kur Milan ishte gjithmonë në pronësi të topit dhe në kërkim të golit të radhës, në skenë doli Leao.
Sulmuesi këmbëshpejtë portugez u shfaq i papërmbajtshëm në minutën e 60-të të ndeshjes, duke shënuar një gol drithërues, me një aksion individual ku dribloi mbrojtësit e Interit, për ta çuar topin në kornizën e portës.
Inzaghi nisi të merrte masa, duke bërë disa zëvendësime, ku në lojë u fut edhe sulmuesi boshnjak me përvojë, Edin Dzeko. Po i njëjti në minutën e 67-të të ndeshjes shënoi gol, për t’i rritur shpresat e Interit që të rikthehej në lojë.
Pjesa e mbetur e lojës për sa i takon mbizotërimit foli në të mirë të Interit, por mbrojtja e Milanit ishte shumë mirë e organizuar, duke ruajtur epërsinë e krijuar me një kapital prej një goli.
Kësisoj, me rezultatin 3:2 u mbyll edhe ndeshja, ku spektakli ishte kryefjalë dhe Milan skuadra që mbizotëroi me rezultat dhe lojë, nëse merret parasysh 90 minutëshi i plotë.

