Derbi i qytetit Milan – Inter: Në vëmendje Lautaro dhe Leao
Sot zhvillohet derbi i qytetit të Milanos, mes Milanit dhe Interit. Një ndeshje e shpejt qysh në javën e pestë të kampionatit italian, e që është një nga ndeshjet më me emocione në futbollin evropian dhe jo vetëm atë italian. Në këtë ndeshje, dy figurat kryesore pritet të jenë sulmuesit Lautaro Martinez dhe Rafael Leao.
E nisim me Lautaron. Sulmuesi argjentinas mund të bëhet vetëm lojtari i tretë i zikaltërve që kontribuon me të paktën me një gol apo asistim në pesë ndeshjet e para në Serie A, dhe kjo mund të arrihet nëse ai i shënon kuqezinjve.
Trajneri i Interit, Simone Inzaghi, nuk startoi me të në ndeshjen me Cremonesen, por ‘El Toro’ me të hyrë në ndeshje si zëvendësues, shënoi gol në pjesën e dytë.

Lautaro deri më tani në katër ndeshjet e para të sezonit ka arritur të shënojë tre gola dhe një asistim për bashkëlojtarët, teksa nëse arrin të shënojë apo asistojë sot, do ta arrinte bashkëlojtarin e tij Nicolo Barellan që e arriti këtë në sezonin e kaluar dhe ish-lojtarin e Interit e tani të Milanit, Zlatan Ibrahimovic, që e kishte bërë në sezonin 2007/08.
Lautaro deri më tani ka shënuar 77 gola në 185 paraqitje për Interin, që nga ardhja e tij në vitin 2018 dhe sot do të jetë në fushë me njërin nga Edin Dzeko apo Joaquin Correa, pasi Romelu Lukaku ka pësuar një lëndim.
Në anën tjetër, Rafael Leao pritet sot të bëjë paraqitjen e 100-të në Serie A në derbin e qytetit të njohur si derby della Madonnina, dhe mund ta çimentojë pozitën e tij si asistuesi më i mirë i ri në ligë.
Sulmuesi portugez padyshim se do të jetë ylli i Milanit edhe sot në ndeshjen kundër Interit, pavarësisht se ka shënuar vetëm një gol në katër ndeshjet e para të sezonit, ai vazhdon të jetë lojtari më i rrezikshëm i kuqezinjve.

Nga statistikat del se Leao është asistuesi më i mirë në Serie A, kur konsiderohen vetëm lojtarët e lindur nga viti 1999 e lartë. Ish-lojtari i Lilles dhe Sportingut, ka kontribuar me 16 asistime për kampion në fuqi të Italisë, deri më tani.
Ai gjithashtu është golashënuesi i tretë më i mirë i ri në ligë, pas Dusan Vlahovic e Andrea Pinamonti.
Leao ka shënuar 24 gola në 99 paraqitje në Serie A, ndërsa ylli i Juventusit ka shënuar 55 gola në 117 paraqitje dhe ish-lojtari i Interit e tani i Sassuolos ka shënuar 25 gola në 110 paraqitje.

