Pioli dhe Inzaghi flasin para derbit: Detajet do ta vendosin ndeshjen
Milan dhe Inter do të përballen në "San Siro" gjatë ditë së nesërme në derbin e zjarrtë të "Madonnina" që nis nga ora 18:00. Të dy trajnerët e kanë vlerësuar si të vështirë ndeshjen.
Milan si kampion në fuqi do të mundohet që të rikthehet te fitorja dhe ta etablojë edhe një herë në fushë statusin e skuadrës që do të synojë ta mbrojë titullin.
Për ta bërë një gjë të tillë nuk do ta ketë aspak të lehtë kur kemi parasysh që Inzaghi ka në gatishmëri një kontigjent lojtarësh me përvojë dhe aspak inferioriorë cilësisht me ata të Milanit.
Si rrjedhojë, ndeshja e nesërme do të jetë e rëndësishme për të dy skuadrat, ku epilogu përfundimtar si në çdo derbi është vështirë të parashikohet, ngase paparashikueshmëria shpesh është mbizotëruese në të tilla sfida.
Prononcim i Piolit para derbit
Pas barazimit kundër Sassuolos, ka pasur kritika në drejtim të Milanit për paraqitjen e dobët që ka treguar në stadiumin "Mapei". Mirëpo për Piolin ndeshja ka ndeshja dallon dhe tjetër skuadër do të shihet në fushë ndaj Interit.
"E kam thënë pas përfundimit të ndeshjes kundër Sassuolos se do ta shihni një tjetër Milan në derbi, sepse ka dallim mes kundërshtarëve. Çdo ndeshje është ndryshe. Kemi konceptet tona të lojës dhe do të mundohemi që t'i shtyjmë përpara me bindje, forcë, energji dhe cilësi. Pikërisht cilësia është ajo që të mundëson t'i fitosh ndeshjet", komentoi ai.
Pioli u deklarua edhe rreth Interit, duke komentuar gjendjen e tyre dhe si i sheh në prag të fillimit të derbit.
"Vazhdoj të mendoj që do të jetë një kampionat i ekuilibruar, me shumë skuadra që janë përforcuar dhe që mund të fitojnë. Pa Lukakun, Inter mund t'i vendosë në fushë të njëjtit lojtarë sikurse sezonin e kaluar. Pak a shumë njësoj si ne", nënvizoi Pioli.

Tek në fund, Pioli tregoi se çfarë pret nga ndeshja dhe si e ka përgatitur atë.
"Derbi është derbi. Pres një ndeshje energjike, me duele. Ai që do të fitojë më shumë duele, do të ketë më shumë mundësi ta fitojë ndeshjen. Në të tilla ndeshje nuk ka rëndësi se si vjen, por si i luan. E kemi përgatitur këtë sfidë në mënyrën më të mirë. Janë ndeshje ku detajet mund ta bëjnë dallimin", u shpreh trajneri italian.
Inzaghi e sheh ndeshjen shumë të rëndësishme
Simone Inzaghi i ka quajtur afrime inteligjente lojtarët që drejtuesit e klubit të tij ia kanë siguruar në afatin kalimtar veror. Pavarësisht lëndimit të Lukakut, ai mendon se skuadra e tij është e gatshme për t'u ballafaquar në derbi.
"Duelet individuale do të jenë shumë të rëndësishme. E dimë të gjithë se çfarë përfaqëson një derbi për klubin dhe tifozët. Skuadra para këtij derbi vjen në formë të mirë, sepse është rikuperuar mentalisht dhe fizikisht nga ndeshja e të marrtës. Prandaj do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme", shtoi ai.
Ai ka folur edhe rreth cilësisë që posedon skuadra e tij, duke u pyetur nëse bëhet fjalë për ekipin më të mirë që ka ushtruar ndonjëherë ai vetë si trajner.
"Do ta thotë fusha nëse është skuadra më e fortë që unë kam ushtruar ndonjëherë. Sigurisht që afati kalimtar veror është bërë në formë inteligjente, me një përzierje të lojtarëve të rinj dhe atyre me ekspertë, të cilët do të mund të na japin një ndihmë të madhe nga tani deri në fund të kampionatit", potencoi Inzaghi.

Ai ka folur edhe për pritshmëritë që ka nga derbi i nesërm, duke vërë theksin te fakti se pret që detajet të vogla ta përcaktojnë fituesin.
"Një derbi nuk ka nevojë që të ekzaltohet. Të gjithë kanë dëshirë të luajnë. Do të përballen dy ekipe të forta, me filozofinë e vet të lojës. Do të jetë një ndeshje e ekuilibruar, e cila do të vendoset nga detajet. Do të duhet të jemi të aftë që ta drejtojmë ndeshjen në favorin tonë", tha Inzaghi.


