Piers Morgan: Arsenali do ta fitonte ligën po të nënshkruante me Ronaldon
Piers Morgan beson se Arsenali do ta kishte fituar Premierligën këtë sezon, nëse do të nënshkruante me Cristiano Ronaldon në janar.
Ronaldo u largua në mënyrë dramatike nga Manchester Unitedi në afatin e dimrit, pasi i prishi marrëdhëniet me trajnerin Erik ten Hag dhe u përjashtua nga skuadra.
Si pasojë, ai iu bashkua Al Nassrit në Arabinë Saudite, ku i ka shënuar 12 gola në 13 ndeshje për klubin e ri.
Megjithëse i shënoi vetëm tri gola në sezonin 2022/23 për Unitedin, Morgan është përpjekur të nënvizojë në rrjetet sociale se sulmuesi 38-vjeçar ende mund të jetë frytdhënës para portës.

Prezantuesi i njohur televiziv, i cili e bëri intervistën me Ronaldon që çoi drejt largimit të portugezit nga Old Trafford në mënyrë kontroverse, beson se ish-ylli i Real Madridit di të shënojë gola kur ka rëndësi më së shumti.
“Talluni sa të doni, por sikur të kishim nënshkruar me Ronaldon kur ai u largua nga Utd, deri në fund të sezonit – për çka edhe ai ishte i vendosur – ne do ta kishim fituar ligën. Ai e di si është të fitosh trofe të mëdhenj, dhe si të shënojë gola kur ka vërtet rëndësi”, shkroi Morgan në Twitter.
Mock all you like, but if we’d signed Ronaldo when he left Utd, until the end of the season - as he was keen to do btw - we would have won the League. He knows how to win major trophies, and how to score goals when it really matters. https://t.co/nxRhDCONRC
— Piers Morgan (@piersmorgan) May 16, 2023
Arsenali e kishte një numër lojtarësh që i synonte në janar – përfshirë anësorin e Chelseat Mykhailo Mudryk – por në fund i bleu Jorginhon nga të kaltrit dhe Leandro Trossardin nga Brightoni.
Megjithëse kishte një epërsi prej 12 pikëve shtatë ndeshje pa përfunduar sezoni, skuadra e Mikel Artetës tani ngel mbrapa Manchester Cityt, i cili do ta fitojë titullin me një fitore në tri ndeshjet e mbetura dhe mund ta bëjë këtë qysh të dielën, nëse e mund Chelsean.
Topçinjtë kishin nevojë për një sulmuesi tipik në janar, pasi iu lëndua Gabriel Jesus në dhjetor gjatë Kupës së Botës me Brazilin.
Jesus u rikthye por nuk ka qenë në gjendje të shënojë mjaftueshëm për ta mbajtur Arsenalin në krye.
