Pescara tallet me Ronaldon: Nuk do ta publikojmë fotografinë e tij me fanellën tonë sepse do të ishte “cringe” (siklet)
Pescaras i ka ardhur dita të tallet me Cristiano Ronaldon, pasi këtij të fundit iu shkëput kontrata me Manchester Unitedin gjatë ditës së sotme.
Një cicërrimë në “Twitter” nga klubi italian Pescara që është pjesë e Serie C në Grupin C, ka marrë vëmendjen e mijëra ndjekësve të futbollit.
Bëhet fjalë për një shkrim ironik ndaj Cristiano Ronaldos, me këtë të fundit që nga tani e tutje mund të quhet si lojtar i lirë, meqë nuk është më nën kontratë me “djajtë e kuq”.
Duke përfituar nga ky zhvillim i ri, edhe Pescara shfrytëzoi rastin që ta vë veten paksa në dukje në opinionin publik.
“Shumë veta jeni duke na e kërkuar. Jo, nuk do ta publikojmë fotografinë e Ronaldos me fanellën tonë. Do të ishte banale dhe ‘cringe’ (siklet)”, shtoi Pescara.
“Madje do të ishte nj fotografi e vjetër që e kemi përdorur edhe në të kaluarën”, shpjegoi me ironi profili zyrtar i Pescara.
Ce lo state chiedendo in molti. No, non pubblicheremo la foto di #Ronaldo con la nostra maglia. Sarebbe banale e cringe. pic.twitter.com/YcQrOlJgZ6
— Pescara Calcio (@PescaraCalcio) November 22, 2022
Pescara për momentin zë vendin e dytë në Grupin C të Serie C me 35 pikë të grumbulluara. Kjo nuk është hera e parë që klubi italian tallet me protagonistë të ndryshëm të sferës publike sportive.
Ndarja zyrtare mes Ronaldos dhe Manchester Unitedit
Sot, Manchester United bëri të ditur se kanë ndërprerë bashkëpunimin me yllin Cristiano Ronaldo.
Portugezi nuk është më pjesë e "djajve të kuq" pas intervistës së fundit tronditëse që dha duke kritikuar drejtuesit, lojtarët e rinj dhe trajnerin Erik ten Hag.
Tani, Manchester United ka konfirmuar se ka ndërprerë kontratën me Ronaldon me marrëveshje të dyanshme.
"Cristiano Ronaldo do të largohet nga Manchester United me marrëveshje të përbashkët".
"Klubi e falënderon për kontributin në "Old Trafford", ku shënoi 145 gola në 346 paraqitje dhe i uron atij dhe familjes së tij më të mirën në të ardhmen".

Përmes një komunikate publike nuk ka vonuar shumë edhe reagimi i Cristiano Ronaldos, menjëherë pasi Manchester United njoftoi se ka shkëputur kontratën me pajtim dypalësh.
“Pas disa bisedimeve që kam pasur me Manchester Unitedin, kemi arritur në përfundim të përbashkët që ta shkëpusim kontratës”, tha ai.
Ronaldo dëshiroi po ashtu që të përçojë një mesazh të ngrohtë për tifozët e “djajve të kuq”, ashtu sikur edhe për vetë klubin, pavarësisht zhvillimeve të javëve të fundit.
“I dua Manchester Unitedin dhe tifozët. Kjo gjë nuk do të ndryshojë kurrë”, siguroi ai.

Ai arsyetoi këtë ujdi të përbashkët duke thënë se ishte momenti i duhur, ku nuk harroi që t’ia urojë çdo të mirë edhe klubit.
“Duket momenti i duhur për të kërkuar një sfidë të re. Ia uroj gjitha të mirat Manchester Unitedit”, shkroi ai.

