Ronaldo: Dashuria ndaj Man. Utd dhe tifozëve nuk do ndryshojë kurrë, tani është koha për një sfidë të re
Cristiano Ronaldo ka lëshuar një komunikatë për opinionin publik pasi Manchester United zyrtarizoi shkëputjen e kontratës së tij. Ylli portugez tha se ishte momenti i duhur për të marrë një rrugëtim të ri.
Përmes një komunikate publike nuk ka vonuar shumë edhe reagimi i Cristiano Ronaldos, menjëherë pasi Manchester United njoftoi se ka shkëputur kontratën me pajtim dypalësh.
“Pas disa bisedimeve që kam pasur me Manchester Unitedin, kemi arritur në përfundim të përbashkët që ta shkëpusim kontratës”, tha ai.
Ronaldo dëshiroi po ashtu që të përçojë një mesazh të ngrohtë për tifozët e “djajve të kuq”, ashtu sikur edhe për vetë klubin, pavarësisht zhvillimeve të javëve të fundit.
“I dua Manchester Unitedin dhe tifozët. Kjo gjë nuk do të ndryshojë kurrë”, siguroi ai.

Ai arsyetoi këtë ujdi të përbashkët duke thënë se ishte momenti i duhur, ku nuk harroi që t’ia urojë çdo të mirë edhe klubit.
“Duket momenti i duhur për të kërkuar një sfidë të re. Ia uroj gjitha të mirat Manchester Unitedit”, shkroi ai.
Tërbimi i raportit me Manchester Unitedin
Vetë fakti që Cristiano Ronaldo nuk figuronte më lojtar titullar për skuadrën e “djajve të kuq” kishte shkaktuar jo pak pakënaqësi te vetë lojtari.
I mësuar që të mos vihej asnjëherë në mëdyshje për të luajtur titullar, ai nuk e kapërdiu në formën më të mirëfilltë dhe profesionale vendimin e përligjur të trajnerit Ten Hag për ta lënë atë në stol.
Vonesa në përgatitjet parasezonale, mospërfshirja për asnjë minutë në fushë në derbin lokal ndaj Manchester Cityt, si dhe ndeshja ndaj Tottenhamit pak javë më vonë – ishin fazat që ndikuan që të tensionohej raporti mes pesë herë fituesit të Topit të Artë dhe klubit nga “Old Trafford”.
Dalja e tij nga fusha në minutën e 88-të ndaj Tottenhamit më 19 tetor, kur skuadra e Ten Hag fitoi 2:0, bëri që ai të dënohej më pas nga trajneri dhe klubi.

Nga ky moment gjithçka ishte një rrugë pa kthim. Disa javë më vonë ekskluzivisht për emisionin e gazetarit kontrovers Piers Morgan dha një intervistë që trazoi shumë ujëra në klubin anglez.
Akuza të shumta, nga pronarët, deri te trajneri dhe një strukturë e varfër dhe e parinovuar, ngjallën një reagim të madh publik.
Në formë decidive Ronaldo e akuzoi klubin e tij edhe për tradhti. Më pas Manchester United reagoi me një komunikatë publike ku paralajmëronte “masa të duhura”, ndonëse pa cekur se cilat do të ishin to.

Disa ditë më vonë, pikërisht në momentin kur Portugalia është në grumbullim në Botërorin e Katarit, erdhi zyrtarizimi për shkëputjen e kontratës, me pajtim të dyanshëm.
Cristiano Ronaldo tani do të mund të transferohet gjetiu si lojtar i lirë. Afati kalimtar dimëror fillon nga 1 janari në shumicën e kampionateve evropiane.
Ylli 37-vjeçar ka shënuar 19 gola në 40 paraqitje prej që u rikthye gjatë verës së vitit të kaluar në Manchester United.

