Manchester Unitedi ndërmerr hapa “të duhur” ndaj Cristiano Ronaldos
Manchester Unitedi ka thënë se ka filluar ndërmarrjen e “hapave të duhur” ndaj Cristiano Ronaldos, pas intervistës së tij bombastike me gazetarin Piers Morgan.
Reagimi i Unitedit vjen pasi intervista e plotë e Ronaldos u publikuar të enjten mbrëma në TalkTV, në të cilën Ronaldo tha se ndihej i tradhtuar nga klubi dhe i provokuar nga trajneri Erik ten Hag, pasi kishte vendosur të mos futej në lojë në minutat shtesë kundër Tottenhamit dhe kishte ikur me vrap nga stadiumi ende pa përfunduar ndeshja.
Ronaldo tha po ashtu se Ten Hag nuk e nderon atë në mënyrën se si ai mendon që e meriton, megjithëse u ndje i penduar që e kishte braktisur stadiumin kundër Tottenhamit në tetor, por këmbënguli se ndëshkimi që e mori për këtë ishte i tepërt.
Ndërkohë, Unitedi reagoi të premten me një komunikatë për media ku nënvizoi: “Manchester Unitedi i ka nisur hapat e duhur këtë mëngjes si reagim ndaj intervistës së fundit të Cristiano Ronaldos për media”.
“Ne nuk do të komentojmë më shumë derisa ky proces të përfundojë”.
ℹ️ Club statement.#MUFC
— Manchester United (@ManUtd) November 18, 2022
Intervista e Ronaldos tronditi botën e futbollit në përgjithësi, pasi e kritikoi klubin, trajnerët, ish-bashkëlojtarët dhe të tjerët.
Ronaldo, 37 vjeç, tha gjatë intervistës së ndihet i tradhtuar nga Manchester Unitedi.
“Manchester United u përpoq të më detyronte të largohesha. Jo vetëm trajneri (Ralf Rangnick), por edhe njerëzit e tjerë që janë përreth klubit. U ndjeva i tradhtuar”, tha Ronaldo.
“Ndiej se disa njerëz nuk më donin në Manchester United, jo vetëm këtë vit por edhe sezonin e kaluar”.
Ai nuk ngurroi ta godasë edhe trajnerin e tanishëm të djajve të kuq, Ten Hag, duke e pranuar se nuk e respekton.
"Nuk kam respekt për të pasi ai nuk tregoi respekt për mua. Nëse nuk ke respekt për mua, asnjëherë nuk do të kam respekt për ty", shtoi Ronaldo.
Ronaldo u rikthye në Old Trafford në fillim të sezonit 2021/22, pasi ishte bindur nga ish-trajneri, legjenda Sir Alex Ferguson t’i ribashkohej klubit 12 vite pasi ishte larguar në drejtim të Real Madridit.
Sezoni i tij i dytë në United pas kthimit në klub, megjithatë, nuk ka shkuar sipas planit, pasi Ronaldo e humbi vendin e titullarit dhe u kritikua shumë për veprimet që bënte si pasojë.
Gjatë intervistës, portugezi tha po ashtu se i kishte refuzuar 350 milionë euro nga një klub saudit në verë.
Gazeta spanjolle Marca raportoi se klubi saudit Al-Hilal i kishte ofruar sulmuesit portugez një marrëveshje dyvjeçare me përfitime 350 milionë euro.
“Kjo është e vërtetë, po e vërtetë”, tha Ronaldo i pyetur për thashethemet.
“Por ajo që shtypi vazhdon ta thotë, të gjitha rrenat se mua nuk më do askush, janë plotësisht të pavërteta”, këmbënguli 37-vjeçari.
“Unë ndihesha i lumtur këtu, të jem i sinqertë, isha i nxitur të bëja një sezon madhështor këtu. Por ata (mediat) vazhdojnë ta përsërisin se askush nuk e do Cristianon. Si ka mundësi që askush nuk e do një lojtar i cili i shënoi 32 gola sezonin e kaluar, me ekipin kombëtar?”