Pep Guardiola shpjegon pse Haalandi vuajti kundër Real Madridit
Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka shpjeguar se pse sulmuesi i tij, Erling Haaland, vuajti në ndeshjen ndaj Real Madridit, në kuadër të ndeshjes së parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Dy gjigantët evropian u takuan gjatë natës së djeshme ku barazuan me rezultat 1:1, me dy gola të jashtëzakonshëm, Vinicius Junior për Real Madridin dhe Kevin De Bruyne për Manchester Cityn. Sidoqoftë, ajo që ra në sy ishte paraqitja e Erling Haaland, që vuajti për ta dhënë ndikimin e tij në fushë, edhe pse tentoi një herë gjatë pjesës së parë, me goditjen që u ndal nga Thibaut Courtois.
.jpg?format=pjpg&auto=webp&width=3840&quality=60)
Në tërësi, norvegjezi vuajti shumë, me mbulimin që i bëri mbrojtësi gjerman, Antonio Rudiger. 22-vjeçari bëri vetëm 21 prekje të topit gjatë tërë takimit, që në total ishte më pak se sa kishin kontakt me topin dy portierët, Courtois dhe Ederson.
Guardiola e ka pranuar se nuk ishte fare lehtë për norvegjezin, teksa shpjegoi se pse ai vuajti në këtë takim: “Hapësira dhe distanca mes mbrojtësve qëndror dhe atyre të krahut ishte e pushtuar nga mesfushorët si Luka Modric, Toni Kroos dhe Federico Valverde. Dy qendërmbrojtësit ishin shumë afër me Haaland, nuk ishte lehtë për të. Ai lëvizi mirë dhe pati shansin për të shënuar.”

Trajneri spanjoll tha se ishte ndeshje shumë e barabartë, por ndihet më i lehtësuar që ndeshja e kthimit do të jetë në Etihad Stadium.
“Lojë e barabartë. Gjysmëfinalja në Bernabeu, patëm disa momente të mira dhe po ashtu disa të vështira, pasi që kualiteti i tyre me topin në këmbë dihet. Ndeshja më e rëndësishme në shtëpi para tifozëve tanë. Kur ne ishim më të mirë ata shënuan, ndërsa kur ata po luanin mirë ne barazuam.”

Tutje Guardiola shtoi: “Ata janë shumë kërkues, me eksperiencën dhe kualitetin që kanë. Ne do të udhëtojmë për në Manchester dhe do të shohim se çfarë mund të bëjmë më mirë. Kur luani këso lloj ndeshjes, janë sikur play-off, kështu që shpresoj që mund të mësojmë nga kjo, të mbrohemi mirë dhe të sulmojmë mirë.”
Manchester City udhëton te Evertoni të dielën në kuadër të Premierligës, përpara se ta presë Real Madridin për ndeshjen e kthimit të mërkurën e 17 majit.



