Manchester City barazon ndaj Real Madridit në Bernabeu, gjithçka e hapur për ndeshjen e kthimit
Manchester City ka arritur ta marrë një barazim shumë të rëndësishëm në Santiago Bernabeu ndaj Real Madridit në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Ndonëse zhvilluan një ndeshje më të mirë përgjatë tërë ndeshjes, qytetarët u kthyen nga humbja për të arritur një barazim, që vlen shumë për ndeshjen e kthimit, që zhvillohet pas një jave në Etihad Stadium në Angli.
Skuadra e Pep Guardiolës pati rastet më të mira në ndeshje, e gjithashtu dominoi me posedim të topit, me mbretërit që kishin periudhë më të mirë vetëm në fillimin e pjesës së dytë.
Në rastin e vetëm të skuadrës së Ancelottit në pjesën e parë, ata shënuan. Zhvillohej minuta e 36-të kur Camavigna asisitoi për Vinicius Junior, i cili me një goditje në lëvizje nga distanca shënoi gol të jashtëzakonshëm për 1:0, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë e takimit.
Fillimi i pjesës së dytë i takoi mbretërve. Por krejt çfarë ata arritën të bënin në këtë pjesë ishin dy goditje në drejtim të portës, në të cilat portieri Ederson Moares u tregua fantastik.
Ndërsa Manchester City me sulmet e vazhdueshme në këtë ndeshje, arriti që të barazonte.
Zhvillohej minuta e 67-të kur Gundogan pasoi për De Bruynen, i cili me një goditje të fuqishme me trinën e plotë shënoi golin e barazimit dhe të rezultatit përfundimtar 1:1.
Kujtojmë se paraqitje shumë të mirë bëri portieri belg i Real Madridit, Thibaut Courtois, i cili ishte më meritori pse skuadra e tij nuk pësoi humbje në ndeshjen si vendas.
Ndeshja e kthimit zhvillohet pas një jave, saktësisht të mërkurën e 17 majit në Etihad Stadium, me skuadrën triumfuese që përballet në finalen e madhe të Stambollit me fituesin nga ndesha Milan – Inter.

