Pamje: Zhegrova mahnit me driblime, bashkëlojtari i tij kap duart në kokë duke mos u besuar syve - NACIONALE

Pamje: Zhegrova mahnit me driblime, bashkëlojtari i tij kap duart në kokë duke mos u besuar syve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Edon Zhegrova është rikthyer të luajë titullar për Lille, në ndeshjen që ekipi i tij fitoi 2:0 në udhëtim kundër Clermont. Ai ishte protagonist i një paraqitje të shkëlqyer, ku spikati edhe me një driblim dehës.

Pas katër muajsh sulmuesi 23-vjeç kosovar, Edon Zhegrova, zuri sërish vend në përbërjen startuese të trajnerit Fonseca në ndeshjen kundër Clermontit. Besimin e tij nuk e shpërdoroi për 78 minuta sa qëndroi në fushë.

Aksionet kryesore për gol në ato minuta erdhën pikërisht nga këmbët e tij. Përfaqësuesi kosovar u vërejt që ishte në disponim të mirë për lojë.

Qershia mbi tortë erdhi në minutën e 19-të. Ai një nga një u shmang mbrojtësve të Clermont, duke defiluar pranë zonës të rreptësisë në formë horizontale. Driblimi i kundërshtarëve një nga një la pa fjalë edhe bashkëlojtarin e tij, Diakite.

Mbrojtësi i djathtë francez siç mund të shihet në këtë video filloi që t’i vendoste duart mbi kokë, sa për të dëshmuar që nuk po mund t’u besonte syve për atë që po shihte.

Gjithsesi, aksioni vijoi me Zhegrovën që kompletoi një pasim trekëndësh dhe u lirua për të goditur edhe më afër zonës së portierit kundërshtar, por goditja e tij u ndal në duart e Diaw.

Edon Zhegrova edhe fizikisht tregoi shenja të mira. Për dallim nga shumë ndeshje tjera, kësaj radhe u tregua shpesh edhe altruist, duke pasuar për bashkëlojtarët.

Vlen të theksohet që në këtë ndeshje për Clermont titullar u paraqit edhe futbollisti tjetër i Kombëtares së Kosovës, Elbasan Rashani. Ai u largua nga loja tek në minutën e 88-të.

Hera e fundit që 23-vjeçari kishte luajtur titullar për Lille datonte më 31 gusht. Që atëherë kishte luajtur vetëm dy herë në kampionat, duke gëzuar një minutazh jo më të madh se prej 41 minutave. Shumë pak në krahasim me cilësitë që posedon talenti kosovar.

Ai nënshkroi në fillim të vitit 2022 me Lille, duke u transferuar nga Basel për 7 milionë euro. Kontrata e tij me klubin francez skadon më 2026.

Paraqitja e sotme mund të shërbejë si një ogur i mirë për të pasur hapësirë akoma më të madhe në pjesën e mbetur të kampionatit.

Lajme të ngjashme